
EVN pranon ankesat, por pasi të bësh pagesën e faturës së fundit. Dhe, në 90 për qind të rasteve, përgjigja në ankesa është negative. Dhe, këtu përfundon gjithçka, pasi të rrallë janë avokatët që i rreken procesit gjyqësor kundër kësaj kompanie
Besa IBRAIMI
Shkup, 16 shkurt – Dyzet mijë, pesëdhjetë mijë deri në gjashtëdhjetë mijë denarë faturat e janarit për energjinë elektrike. EVN duket se po zhvat qytetarët me fatura të larta të muajit janar e që dallojnë shumë nga muaji paraprak. Me një fjalë, shumë fatura kanë shumën mbi 50 për qind më të larta se në dhjetor. Dyfish apo trefish më shumë harxhime u janë faturuar një numri të madh të qytetarëve, të cilët përveç në EVN, janë ankuar edhe në rrjetet sociale, duke akuzuar se janë të pambrojtur nga, siç thonë, vjedhja që po i bën atyre EVN.
Madje, fatura të larta ju kanë arritur edhe mërgimtarëve, shtëpitë e të cilëve janë të zbrazëta. Agimi nga Kumanova, me punë të përkohshme në Gjermani, ankohet se për 6 ditë pushime në fund të dhjetorit në vendlindje, fatura nga EVN i ka ardhur gati 45.000 denarë. “Të paguash 750 euro për 6 ditë, sidomos kur ke ngrohur vetëm dy dhoma, është më shumë se hajni. Në fund të dhjetorit, konkretisht Vitin e Ri e festova në shtëpi dhe, qëndrova vetëm 6 ditë të plota. Jemi ngrohur me inverter. Kur ma dërguan faturën, desh u çmenda. 750 euro për muajin dhjetor-janar. Këtu në Gjermani me 750 euro kalojmë shtatë muaj të plota, ndërsa atje për 6 ditë. Vjedhje pa pikë turpi. Paramendojini çfarë u ndodhë atyre që nuk kanë. Kush i mbron ata nga këto hajna?”, thotë Agimi.
Nga ana tjetër, EVN pranon ankesat, por pasi të bësh pagesën e faturës së fundit. Dhe, në 90 për qind të rasteve, përgjigja në ankesa është negative. Dhe, këtu përfundon gjithçka, pasi të rrallë janë avokatët që i rreken procesit gjyqësor kundër kësaj kompanie.
“Më janë përgjigjur se aq kam harxhuar dhe asgjë tjetër. Orëmatësin nuk kanë ardhur ta shohin me muaj, gjithçka vjen paushallë. Janë mësuar që, nëse nuk reagon te një faturë që e di se është vjedhje, të tjerat pastaj vijojnë njëjtë ose edhe më të larta. Kam pyetur edhe shumë avokatë nëse mund ta padisë EVN-në, por përgjigja është e njëjtë e të gjithëve: Nuk e fiton EVN-në, veç sa humb para, kohë dhe nerva”, thotë Selajdini nga Likova. Atij, edhe pse thotë se ngrohet me pelet dhe kursen energjinë elektrike, fatura e EVN-së për janarin i ka ardhur 38.000 denarë, ndërkohë që për dhjetorin ka paguar 9700 denarë. “Katër fish më shumë për janarin krahasuar me muajin dhjetor. Ngrohem me pelet dhe, kur u ankova në EVN, vetëm i rudhën krahët. E mbusha një ankesë, por nuk shpresoj se do të mi kthejnë paratë. Sinqerisht është situatë e vështirë, sepse të vjedh ndër sy dhe s’ke çfarë bën. Sidomos tani kur orëmatësit janë jashtë shtëpive, ta ndal rrymën nga Shkupi dhe s’ke çfarë bën. Punonjësit që dikur vinin çdo muaj, tash vijnë së paku një herë në gjashtë muaj. Dhe ia fusin gjithçka paushall”, ankohen Selajdini.
Se diçka nuk është në rregull me faturat, është konstatuar edhe nga Komisioni Rregullator për Energjinë (KRrE). Në një komunikatë ditë më parë drejtuar mediave, KRrEi bën thirrje EVN- së që
t’i korrigjojë faturat për energji elektrike dhe të bëjë shpërndarje adekuate për energjinë elektrike dhe të bëjë shpërndarje adekuate në blloqe sipas historisë të konsumit mesatar të amvisërisë gjatë tri periudhave të fundit llogaritëse.
Konsumatorët, të cilët janë të pakënaqur nga llogaritja e energjisë së shpenzuar dhe vlerës së faturës, (sipas nenit 37 nga Ligji për energjetikë, Rregullat për furnizim të energjisë elektrike dhe Rregullave për parashtrimin e ankesave dhe zgjidhjen e kontesteve, konsumatorët për çdo faturë), shtohet në kumtesë, kanë të drejtë të bëjnë ankesë për furnizuesin universal EVN HOME.
“Nëse konsumatori nuk është i kënaqur me përgjigjen e marrë ose nuk merr përgjigje brenda afatit të përcaktuar me ligj (8 ditë), ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë KRRE-së si organ i shkallës së dytë. Nuk ka ndonjë formë/formular specifik të paraparë për ankesën në KRRE dhe ata duhet t’i bashkëngjisin asaj: një kopje të ankesës së paraqitur në EVN HOME, përgjigjen nga EVN HOME dhe një kopje të faturës për të cilën ankohen. Ankesa mund të dorëzohet në arkivin e KRRE -së ose në mënyrë elektronike me email në erc@erc.org.mk dhe potrosuvaci@erc.org.mk”, sqaron KRRE-ja dhe shton se pala e pakënaqur mund të iniciojë kontest administrativ kundër vendimeve të KRRE-së.
Ditë më parë ka reaguar edhe LSDM. Partia e Venko Filipçes ka thënë se pas shtrenjtimit të produkteve ushqimore dhe ngrohjes qendrore, është shënuar edhe rritja enorme e llogarive për rrymën elektrike. Kjo paraqet një goditje shokuese për qytetarët – thonë nga LSDM-ja, duke akuzuar se kjo është si pasojë e paaftësisë së Qeverisë së Mickoskit, që sipas tyre, me shfuqizimin e subvencioneve për rrymën, VMRO-DPMNE po godet xhepat e qytetarëve. “Të lënë në mëshirë dhe pamëshirë, njerëzit janë buzë situatës të zgjedhin nëse do t`i paguajnë llogaritë për rrymën ose të blejnë ushqime. DPMNE mashtroi dhe zhgënjeu qytetarët, ndryshe premtuan para zgjedhjeve, ndryshe veprojnë kur janë në pushtet, qytetarët janë lënë të vetëm. LSDM ka zgjidhje, i bëjmë thirrje Qeverisë që urgjentisht të miratojë vendimin për heqjen ose uljen e TVSH-së për rrymën dhe ngrohjen qendrore, si ndihmë për qytetarët që ta kapërcejnë këtë periudhë të vështirë”.
Përveç në EVN, ankesa të shumta janë dërguar edhe te Avokati i Popullit. Në ndërkohë, punonjës në EVN Maqedoni arsyetohen se në disa rajone të vendit është shënuar rritje e konsumit të energjisë elektrike për shkak të ngrohjes së lartë në pjesët që furnizohen me ngrohje. Sipas tyre, në pjesën më të madhe bëhet fjalë pikërisht për kilovat orët e shpenzuara aq sa është në faturë dhe në disa raste ka qenë vlerë e përllogaritur për shkak të ndonjë matësi të palexuar apo nivelizim të ndonjë periudhe që s’është lexuar më parë. Me një fjalë, në EVN thonë se fatura e supozuar nuk nënkupton automatikisht faturë më të lartë të energjisë elektrike, sepse ajo mund të përmbajë vlera më të ulëta të supozuara të konsumit se vlera reale në atë muaj.
Ndryshe, nga 1 janari i vitit 2025 çmimi i rrymës për konsum mesatar në të gjitha katër blloqet është rritur për më pak se një për qind (0.92 %). Konkretisht në bllokun e parë çmimi është rritur për 0,68%, përderisa në bllokun e dytë çmimi është rritur për 0.90 %.