
Agim Vinca
Fjalë e mbajtur në shënimin e 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, më 11-12 shkurt 2025
I nderuar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strugë, z. Krasniqi,
I nderuar Konsull i Republikës së Shqipërisë në Strugë, z. Musai,
Të nderuar miq dhe kolegë shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi,
Të dashur struganë, bashkëvendës të mi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj!
Projektin e Kosovës së lirë dhe të pavarur e mbështetën të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë. Pa dashur të mohojmë kurrsesi kontributin e të tjerëve, do të mund të thoshim se në këtë aksion të madh kombëtar, buzëdrinasit e mi, struganët, kanë qenë ndër të parët.
Dhe kur them struganët kam parasysh jo vetëm banorët e qytetit, por edhe të fshatrave, madje akoma më shumë: veleshtarët, ladorishtarët, dollogozhdarët, livadhiasit dhe gjithë të tjerët, në të dy anët e Drinit.
Studentët shqiptarë nga Maqedonia, që kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës, kanë qenë pjesëmarrës aktivë në demonstratat e vitit 1968, sikurse dhe në ato të vitit 1981; në radhët e UÇK-së u radhitën mjaft djem nga kjo trevë, kurse disa nga intelektualët e kësaj ane, më të shquarit, e mbështetën pa rezervë luftën çlirimtare.
Diaspora e gjerë strugane në Evropë dhe Amerikë, por edhe banorët vendës, ndihmuan materialisht njerëzit e rënë në vështirësi ekonomike në fillim të viteve nëntëdhjetë, proceset politike të zhvilluara përgjatë viyeve ’90 dhe sidomos në fund të kësaj dekade, në luftën finale.
Eksodi i madh i vitit 1999 e dëshmoi edhe një herë në mënyrë brilante bujarinë e struganëve dhe solidaritetin e tyre me vëllezërit kosovarë.
Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe!
Të ndodhte ndryshe s’kishte si!
Fjalia e fundit tingëllon si poezi, por poezitë pasojnë tani.
Sipas marrëveshjes, do t’ju lexoj tri poezi të shkurtra: dy të parat (Vdekja e luftëtarit dhe Homazh për Prekazin) lidhen me luftën dhe sakrificat për liri, kurse e treta (Takim me vendlindjen) me vendlindjen dhe njerëzit e saj.
VDEKJA E LUFTËTARIT
Thonë se ndërsa po vdiste
nga plagët e marra në fushëbetejë
diku rrëzë Çiçavicës
komandanti Fehmi Lladrovci
paskësh thënë veç një fjalë:
Po shkoj te Ademi. Te Adem Jashari!
Dhe paskësh mbyllur sytë i qetë,
siç i ka hije një luftëtari.
Lamtumirë Fehmi!
Lamtumirë Adem!
Lamtumirë kapedanë!
Me ju Kosova u bind se kishte bij,
me ju e ndjeu veten Nanë!
Nëntor 1998
HOMAZH PËR PREKAZIN
Prekazi s’ka godina të mëdha
as pirgje e kambana madhështore.
Prekazi ka kullën e vjetër të goditur nga predhat
dhe kullën e re tek përkunden djepat.
Pa harruar, sigurisht, as varret.
Ah, varret!
Prekazi s’është Trojë, as Çanakala a Termopile.
Prekazi është një fshat i thjeshtë, që lind e vdes shqip
dhe luftën e bën luftë – pa hile!
TAKIM ME VENDLINDJEN
Në adresën time gmail.com
Vendlindja në takim më fton.
Veleshta ime e qerreve me qe
Tani fluturon lart përmbi re.
Lart përmbi re, nën qiellin gri
Me kufje në vesh: oi, oi!
Ku shkon Veleshta; ku fluturon?
Në ç’aeroporte, me ç’avion?
Vendlindja ime e kuqe flakë
Përditë firon pak e nga pak.
Pak e nga pak e çikë-çikë
Në Europë e Amerikë.
E ikin vitet, medet, medet
Mallin e derdhim në internet.
Në internet, faks e fejsbuk
Nuk ka më sofër, po ka fast food
S’ka më Vakufe, as Sallatash
Veleshta ime është veç mirazh…
Mars 2011