Deputeti i Strugës Salim Sulejmani në Katar: Bashkëpunimi ekonomik në fokus

Një delegacion nga Maqedonia e Veriut, i kryesuar nga Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi zhvilloi një vizitë zyrtare në Katar, ku në përbërje ishte edhe deputeti nga Struga, Salim Sulejmani si dhe deputeti Adnan Azizi. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe eksplorimi i mundësive për investime mes dy vendeve.

Delegacioni u prit nga Ambasadori i Katarit në Maqedoninë e Veriut, Dr. Xhasim bin Hamid Al Thani, i cili shprehu gatishmërinë e Katarit për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

Një takim i rëndësishëm u mbajt edhe me Ministrin e Punës të Katarit, Dr. Ali bin Saeed bin Sumaikh Al Marri, ku u diskutua për investime të mundshme dhe projekte të përbashkëta që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut.

Deputeti Sulejmani theksoi se investimet e jashtme janë kyçe për rritjen ekonomike të vendit dhe shprehu shpresën që Katari do të shohë Maqedoninë e Veriut si një partner të rëndësishëm për investime afatgjata.

“Kemi besim se ky partneritet do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të forcojë marrëdhëniet tona ekonomike e kulturore,” deklaroi ai.