“Zgjedhjet lokale”, nisin kalkulimet e partive për emrat e kandidateve të mundshëm

Nisin kalkulimet për emrat e kandidateve të mundshëm për kryetarë komunash për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kandidat potencial për komunën e Gostivarit, sipas Arben Taravarit, mund të jetë Valbon Limani, i njëjti i cili tani udhëheq me këtë komunë.

“Ende nuk kemi vendim definitiv, duhet të sjellim vendim në kuadër të Vlen-it dhe në kuadër të Aleancës për Shqiptarët, kryetari aktual që është ushtrues detyre, unë mendoj se është duke punuar intenzivisht dhe shumë mirë dhe në anketat që i bëj e shoh që ka një besueshmëri të lartë në komunën e Gostivarit dhe ka gjasa reale që të jetë kandidat por ende nuk kemi vendim definitiv në kuadër të Aleancës dhe në kuadër të Vlen-it”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.

Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha VLEN në zgjedhjet e tetorit do të garojë e bashkuar. Kasami tha se VLEN synon t’i fitojë të gjitha komunat me shumicë shqiptare.

“Jemi në bisedime me kryetarët e koalicionit VLEN për formatin se si do të dalim në zgjedhjet lokale, unë kam bindje se në fund të këtij procesi do të kemi një marrëveshje për të dalë bashkë, dhe unë besoj që në gjitha komunat ku shumica e qytetarëve janë të komunitetit shqiptar por përsëri shqyrtohen disa mundësi sepse bëhet fjalë për zgjedhje lokale për kryetar komunal dhe lista për këshilltarë dhe po ashtu komuna urbane dhe rurale”, tha Bilall Kasami, kryetar i Besës, VLEN.

Zgjedhjet e fundit lokale u mbajtën në tetor të vitit 2021. Nga 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit, VMRO-DPMNE me koalicionin fitoi 42 pozita për kryetar komune, si dhe kryeqytetin me përkrahjen që i dha Danela Arsovskës si kandidate të pavarur. LSDM, nga ana tjetër, fitoi 16 komuna, BDI-ja 11. Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa, të cilat tani janë pjesë e VLEN-it, fituan gjithsej katër pozita të kryetarëve të komunave. Zgjedhjet lokale do të jenë të tetat me radhë që nga pavarësia e vendit. /Alsat.mk