PLD propozon rrëqebullin në stemën e Maqedonisë

Një pjesë e partive publikuan propozime se si duhet të duket stema e re shtetërore. Liberal – demokratët propozuan që të jetë rrëqebulli, për shkak se është kafshë unike e mbrojtur që e ka origjinën nga Mali Sharr, ndërsa do të pajtoheshin edhe për sokolin. Debati filloi pasi që kryeministri Mickoski tha se kjo çështje është e hapur.

“Ne e hapëm këtë çështje dhe vlerësoj se ne jemi një ndër shtetet e rralla, post-socialiste, që ende e kanë stemën shtetërore me modifikime të vjetra dhe të vogla”, tha Mickoksi.

Billall Kasami nga Lëvizja Besa, pajtohet që të ndryshohet simboli shtetëror i cili, siç tha, rikujton sistemin e kaluar politik, por foli edhe për pako të plotë kushtetuese.

“Do të kishim qenë të gatshëm që të flasim për një pako ku sigurisht do të kishte qenë në shqyrtim edhe stema, edhe çështja e himnit por edhe çështja e ndryshimeve të tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve apo me çështjen e definimit jo të përshtatshëm të gjuhës shqipe në kushtetutë, si gjuha e 20%-shi”, deklaroi Kasami.

Opozitarja LSDM paralajmëroi se do të bëjë gjithçka, me të gjithë mjetet demokratike për të kundërshtuar ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tyre, stema aktuale është adekuate dhe nuk shkakton ndarje etnike. Venko Filipçe dërgoi pyetje deri te VMRO-DPMNE-ja.

“Mos ndoshta brenda me koalicionin VLEN, duke e dhënë propozimin e tillë për ndryshimin e stemës shtetorore, ndoshta është biseduar brenda në koalicion edhe për ndryshimin e himnit? Kjo është diçka që VMRO-DPMNE duhet të japë përgjigje”, tha Filipçe.

“Ajo që është e hapur për bisedë është çështja për këtë stemë komuniste që e kemi në Republikën e Maqedonisë”, tha Brane Petrushevski.

Stema shtetërore mund të ndryshohet me shumicë prej dy të tretash. Për herë të fundit një nismë të tillë kishte ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili favorizonte luanin e kuq me prapavi të artë.