NJË

RILINDJE E RE

Kohë zgjedhjesh, kohë ndryshimesh, kohë krize, dhe papritur na shfaqet një mundësi e re për ta lënë të djeshmen, për të rilindur me të nesërmen. Jeta është në lëvizje. Ne lëvizim, ecim përpara me ritmin e saj, me ndërgjegje të qetë gjersa në zemrat tona kemi respekt, përulësi, dashuri.

Dyshimi lind kur shkilet ky ligj, kur njëri ka frikë nga tjetri, apo kur do të dominojë mbi tjetrin, dhe ky ves shumëfishohet në rrafshin kolektiv. Çdo lëvizje popullore që shtyhet nga ndjenja e epërsisë ndaj të tjerëve, është e dëmshme për shoqërinë, dhe si e tillë e dënuar të dështojë.

Kosova ka treguar pjekuri në zgjedhje sa që edhe Shqipëria i ka zili. Për një vazhdim të mbarë duhet përmirësuar disa gjëra: të kërkojmë përgjegjësi intelektuale nga politikanët që nuk sillen mirë; të mos indinjohemi për gjëra që kanë ndodhur vite më parë, dhe me një ndjenjë pajtimi të shohim përpara, se të duash ta kontrollosh rrjedhën e historisë është iluzion.

Çdo individ e çdo lëvizje që merret me gjykimin e ngjarjeve në të kaluarën, e pengon zhvillimin e vendit e të kombit se kjo është diçka anakronike. Edhe gabimet dhe keqpërdorimet janë pjesë e fatit e të brumit tonë. Nëse e shohim çdo gjë ashtu si është, psh një lëvizje shoqërore, qoftë pozitive a negative, si të paevitueshme, kemi vullnet dhe energji për të ecur përpara. Unë hy e dal nga botëkuptime të ndryshme filozofike e politike, pa e parë atë bindje të përkohshme si religjion, siç e bëjnë disa simpatizantë ndonjë parti. Ata nuk i lexojnë mirë programet dhe manifestet, e as nuk dëgjojnë kur prijësit e tyre idealë thonë fjalë që nuk bën të thuhen. Shpresoj të bëjmë një hap prapa, që ta shohim më qartë atë që shfaqet para nesh.

(idemisai)
12/2-2025.