![img_1142-1.jpg](https://i0.wp.com/www.strugapost.com/wp-content/uploads/2025/02/img_1142-1.jpg?resize=678%2C381&ssl=1)
Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike”. Kështu është përgjigjur në pyetje gazetareske kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore, të cilën si temë e hapi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, raporton Portalb.mk.
Filipçe i bëri thirrje qeverisë që të përgjigjet nëse ka pasur ndonjë diskutim brenda koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN për ndryshimin e himnit kombëtar.
Ndryshe, pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi dje se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore,
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.
Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.
Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.