
Struga u bë qendër e fjalës së shkruar dhe artit poetik në kuadër të manifestimeve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 11 dhe 12 shkurt 2025, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë organizoi një mbrëmje poetike dhe një tryezë letrare, ku morën pjesë shkrimtarë dhe studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Ulqini transmeton Strugalajm.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Musaj. Hapjen e manifestimit e bëri nikoqiri i këtij aktiviteti, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Agim Krasniqi, i cili në fjalën e tij përshëndeti poetët dhe shkrimtarët e ftuar, duke shprehur mirënjohje për autoritetet lokale dhe publikun e pranishëm. Ai vuri në pah rëndësinë historike të këtij përvjetori, duke kujtuar rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe sfidat e saj aktuale.
Mbrëmja poetike, e cila u zhvillua nën moderimin e regjisores Olsa Poshka, solli një atmosferë të veçantë, ku në mesin e dashamirësve të poezisë u recituan vargje të përzgjedhura kushtuar Kosovës. Me krijimet e tyre u paraqitën poetë të njohur si Agim Vinca, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Entela Kasi, Puntorie Muça Ziba, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Salajdin Salihu, Lulzim Tafa, Lulzim Haziri dhe Hajredin Kovaçi.
Në ditën e dytë të manifestimit, nën drejtimin e z. Sali Bashota dhe znj. Entela Kasi, u mbajt tryeza letrare me temën “Shkrimtarët për Kosovën”. Studiues dhe shkrimtarë të njohur paraqitën kumtesat e tyre mbi letërsinë dhe pavarësinë e Kosovës:
- Ibrahim Berisha – Shkrimtari i Kosovës: identiteti dhe pavarësia
- Sadik Bejko – Takimet e mia me Rugovën në vitet ’90
- Agim Vinca – Shkrimtarët për lirinë e Kosovës
- Entela Kasi – Kadare dhe Kosova
- Ismet Kallaba – Kosova në publicistikën e Basri Çapriqit
- Salajdin Salihu – Shkrimtarët për Kosovën: dy qasje të kundërta
- Binak Kelmendi – Pavarësia e Kosovës në shtypin francez
- Qazim Muja – Jevrem Bërkoviqi dhe shkrimtarët e Kosovës
- Sali Bashota – Poetët për Kosovën
Ky manifestim konfirmoi rolin e Strugës si një pikë takimi të kulturës shqiptare dhe një urë lidhëse mes krijuesve nga trojet shqiptare. Përmes vargjeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit rikujtuan sakrificat, por edhe triumfet e popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë.