
Më së voni nesër Qeveria do të sjellë vendim për vendosjen e marzhës prej 10% të fitimit për mbi 100 grupe të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore. Masa do të hyjë në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare, ndërsa ministria e ekonomisë po ngutet me qëllim që tregtarët të mos mund të rrisin çmimet paraprakisht. Siç njoftoi ministri i ekonomisë Besar Durmishi, analizat e Inspektoratit të Tregut tregojnë se rritja e çmimeve të produkteve më së shumti ka ndodhur për faj të distributorëve, të cilët për produkte të caktuara, i kanë ngritur marzhat madje deri 50%
“Tregtarët kanë ngritur çmimet e artikujve ushqimore me pakicë, prej 5 deri më 20%. Ka pasur edhe artikuj joushqimor të cilat marzhën e kanë ngritur deri më 30%. Ndërsa në tregtinë me shumicë ka një ngritje të marzhës mbi 50%, që nuk ka një bazë logjike ekonomike. Për këtë arsye Qeveria më angazhoi të përgatisë një masë për të stabilizuar gjendjen e çmimeve të artikujve në tregjet apo marketet tona”, tha Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë.
Me vendosjen e marzhës, çmimet e produkteve të caktuara, ka gjasa të ulen deri në 40%. Masa vlen deri më 30.04.2025 ndërsa shporta të tjera për Ramazan dhe Pashkë, nuk do të ketë.
“Do të ketë përkufizim prej 10% të marzhës. Nuk ka ngrirje të çmimeve por do të ketë 10%. Nëse kanë ngritur marzhën prej 50% me shumicë, përkufizimi do të bëhet në 10% dhe automatikisht do të ulet për 40% çmimi i atyre produkteve për të cilat është ngritur çmimi për 50%. Kjo masë është edhe për dy festat që kemi në këtë periudhë kohore, festa e Ramazanit dhe festa e Pashkëve”, u shpreh Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë.
Durmishi njoftoi se nga nesër do të fillojë konsultime me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Bujqësisë, Doganat, Entin e Statistikave, Inspektoratin e Tregut dhe Komisionin për mbrojtje të konsumatorëve, që të përgatisin një zgjidhje afatgjate për stabilizim të çmimeve nëpër markete. Për shkak çmimeve të larta, qytetarët tanimë dy të premte me radhë kanë bojkotuar marketet, me çka javën e parë fitimi i tyre u ul për 46% ndërsa javën e dytë për 22%. /Alsat.mk