
Blendi Laçka, djali i lindur në vitin 2009 në Strugë, dhe aktualisht pjesë e Akademisë së FFM-së, ka bërë hapin e madh drejt ëndrrës së tij duke u bashkuar me gjigantin turk, Fenerbahçe shkruan Strugalajm.com.
Ky është një moment historik në karrierën e futbollistit të ri, i cili po nis një kapitull të ri në Stamboll për të dëshmuar talentin dhe pasionin e tij për futbollin.
Transferimi i tij te Fenerbahçe është një provë e qartë e aftësive të tij të jashtëzakonshme, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e klubit turk, të njohur për “gjuetinë” e talenteve më të mira në Ballkan.
I rritur në Strugë dhe i zhvilluar nën përkujdesjen e Akademisë së FFM-së, Laçka është bërë një nga lojtarët më premtues të brezit të tij në Maqedoni. Si pjesë e kombëtares U16, ai ka treguar potencial të madh dhe vendosmëri për të arritur majat e futbollit ndërkombëtar.
Kalimi i tij te Fenerbahçe është një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre me punë të palodhur dhe përkushtim. Blendi Laçka tani është gati të shkëlqejë në skenën e madhe dhe të përfaqësojë me krenari talentin maqedonas në arenën ndërkombëtare.