Ideja për themelimin e “Shtetit Bektashi” erdhi si rrufe në qarqet politike, mediatike dhe intelektuale shqiptare. Fillimisht përmes gazetës amerikane “The New York Times” e më pas, përmes fjalimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në OKB i zuri të gjithë në befasi. Ndonëse tashmë kanë kaluar disa javë, askush nuk po arrin të japë një përgjigje të saktë se ç’është ajo që e shtyri kryeministrin të dalë më në ide të këtillë kaq atipike. Dilemat janë të shumta… prej atyre konspirative e deri tek ato që mundohen të gjejnë një këllëf se pse Shqipëria duhet të gjejë pak tokë nga hapësira e saj për të lejuar themelimin e një shteti tjetër në territorin e saj. Gjatë kësaj kohe janë shprehur qëndrime nga më të ndryshmet PËR dhe KUNDËR kësaj ideje. Duke e gjykuar si moment të rëndësishëm, ky numër i revistë “Shenja” i dedikohet kësaj teme. Prandaj jemi përpjekur të përmbledhim disa analiza për ta shpjeguar nga këndvështrime të ndryshme se si shihet ideja në fjalë: çfarë dëmi apo çfarë të mire u sjell shqiptarëve e çfarë shtetit shqiptar; a mund të ketë dorë në këtë projekt ndonjë apo disa fuqi të huaja; a rrezikohet stabiliteti intra-shqiptar; a mund kjo ide të shërbejë për krijimin e shteteve tjera fetare në kuadër të Shqipërisë; një shtet i tillë a mund të rrezatojë tolerancë; a cenohet sovraniteti që sipas Kushtetutës është i pacenueshëm… etj., etj.