
Lulzim Nasufi
Gjatë aktiviteteve të mia ditore, që janë shumë dinamike e që zgjasin nga mëngjesi deri në orët e vonshme, me shumë takime dhe biseda me qytetarë në rrethe të ndryshme, por edhe në postimet e mia, kam hasur shpesh pyetje të shumta dhe të ndryshme.
Ja disa prej tyre: “Çfarë ju duhej ju politika?”, “Pse hyre në politikë?”, “Nuk e kishe nevojën të merresh me politikë”, “Më mirë e shihje punën tënde”, “Çfarë do të bësh tani?” dhe shumë të tjera.
Hyrja ime në politikë është një hap i ndërmarrë me zemër të sinqertë, i mbushur me energji pozitive dhe përgjegjësinë e thellë që ndiej për shoqërinë dhe ardhmërinë e vendit tim.
Karriera ime, 28 vjeçare e ndërtuar mbi themele të forta të ndershmërisë dhe profesionalizmit, si profesor në Shkollën e Mesme “Niko Nestor” e si arkitekt dhe profesionist, jam munduar për të ruajtur personalitetin dhe integritetin pa u korruptuar dhe pa u shantazhuar.
I sinqertë dhe i angazhuar për punën, kam arritur sukses duke mbajtur gjithmonë parime të larta në jetë, kujdesin për familjen, rrethin shoqëror, duke balancuar jetën profesionale me atë personale e duke ju përkushtuar vlerave të vërteta. Çdo hap që kam hedhur në jetë, ka qenë duke qëndruar besnik ndaj parimeve të mia, pa bërë kompromis për atë që është e drejtë dhe e vërtetë.
Në çdo moment kam zgjedhur të mbetem i pa-infiltruar nga çdo ndikim të jashtëm që mund të minojë ndershmërinë dhe integritetin tim.
Kam hyrë në politikë jo për të kërkuar privilegje personale, as për të mbushur xhepat e mi, apo të familjarëve të mi, por për të kontribuar për të mirën e përbashkët, për një shoqëri ku çdo njëri të ndjehet i vlerësuar dhe i barabartë.
Jam këtu me duar të pastra, të mbushura me dëshirën për t’i shërbyer njerëzve dhe për të dhënë gjithçka që posedoj, në funksion te krijimit të një sistemi që do të vlerësojë dhe respektojë çdo qytetar, pa dallim. Ajo që më motivon është ndjenja e thellë e përgjegjësisë për ata që jetojnë mes nesh, për ata që vuajnë dhe që kanë nevojë për zërin dhe veprimet tona. Qëllimi im është të siguroj që çdo fëmijë të ketë mundësinë të rritet në një ambient të pastër, pa frikë dhe pa brenga.
Në fund, politika nuk është vetëm për të drejtuar, por për të dëgjuar, për të respektuar, për të kuptuar dhe për të vepruar në mënyrë të pastër dhe të drejtë.
- UNË JAM KËTU, DHE DO TË BËJ GJITHÇKA QË ËSHTË E MUNDUR SOT PËR TË MIRËN E SË NESËRMES…