
Koha për të thyer heshtjen: Shqiptarët dhe përgjegjësia për të ardhmen e tyre
E ndiej të domosdoshme të shpreh qëndrimin tim personal mbi disa çështje që dominohen nga ata që quhen “politikanë” dhe analfabetët politikë. Këta individë sillen sikur janë të ditur dhe mbajnë mbi supe një barrë të rëndë politike për zgjidhjen e problemeve “të popullit”, kur në të vërtetë janë mbi popullin. Ata pretendojnë se përfaqësojnë interesat e qytetarëve, por në realitet ndjekin vetëm interesin e tyre personal me cinizëm dhe mashtrim.
Në tavolinat e restoranteve shfaqin madhështinë e rreme të pushtetit të tyre, ndërsa në ceremonitë fetare apo festat kombëtare vishen me kravata pa shije, duke u bërë figura komike. Kur u drejtohet ndonjë pyetje, nuk hapin gojën ose përgjigjen në mënyrë aq të paqartë, sa është e pamundur të kuptosh se çfarë thonë.
Përgjigjet e tyre janë aq abstrakte, saqë duket sikur mbajnë mbi vete barrën e strategjive nacionale, por në fakt, as nuk e kanë idenë se për çfarë flasin. Politika duhet të kërkohet nga njerëz të ditur, të ndershëm dhe me karakter, që kanë parime të forta dhe reflektojnë besueshmëri. Jo nga ata që ndjekin vetëm interesin personal dhe të klikës së tyre. Ju shquheni vetëm për dinakëri dhe oratori boshe.
Një politikan i mirë duhet të jetë diplomat i aftë, të analizojë në mënyrë serioze dhe logjike, duke mbrojtur interesat e shtetit dhe të kombit. Jo të kërkojë mbështetje nga struktura diletante, as të mitologjizojë dëshmorët dhe familjet e tyre, të cilat shpesh jetojnë në varfëri ekstreme, duke i përdorur thjesht si dekor për të fituar vota para zgjedhjeve.
Një gjë është e qartë: shqiptarët janë mësuar për një kohë të gjatë të shohin tek faktorët e jashtëm shpresën për shpëtim. Amerika, Bashkimi Europian dhe partnerët ndërkombëtarë shpesh janë perceptuar si forcat që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizave politike, në luftën kundër korrupsionit dhe në ndërtimin e një shteti funksional. Kjo mendësi është e rrezikshme sepse krijon pasivitet dhe nënshtrim ndaj elitave politike vendase.
Ju, analfabetët politikë, e paraqitni faktorin e jashtëm si të vetmen zgjidhje për problemet e shtetit dhe të marrëdhënieve ndëretnike. Ju nuk keni asnjë recetë, as personale, as partiake, dhe nuk dëshironi të dëgjoni as këshillat që vijnë nga jashtë strukturave tuaja. Ju frikësoheni të shfaqeni si ministra apo deputetë para diplomatëve të huaj, sepse nuk keni dinjitet as personal, as institucional. Silleni si servilë. Para diplomatëve të huaj dukeni aq të pavlerë, saqë u ofroni palës tjetër avantazhin që të sillet si “shefi juaj”. Turp të keni!
Historia ka treguar se asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen e tij duke pritur ndërhyrjen e të tjerëve. Nuk mund të ketë ndryshime të vërteta nëse qytetarët heshtin përballë krimit politik, korrupsionit dhe keqqeverisjes. Një shoqëri e drejtë nuk mund të ndërtohet nëse populli pranon me nënshtrim vendimet e atyre që kanë kthyer politikën në një mjet për pasurim personal dhe abuzim me pushtetin.
Në Maqedoni, ashtu si në shumë vende të tjera, elitat politike kanë ndërtuar një sistem ku drejtësia është e kapur, ku vota manipulohet dhe ku mediat janë shpesh të kontrolluara. Frika nga përjashtimi social ose ekonomik i mban njerëzit larg protestës dhe aktivizmit qytetar. Në vend të një mobilizimi të përgjithshëm për ndryshim, shumë qytetarë vazhdojnë të shpresojnë se ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë do t’i zgjidhë problemet.
Kjo qasje është e rrezikshme sepse e zhvendos përgjegjësinë nga qytetarët tek të huajt, duke i dhënë elitës politike hapësirë për të vazhduar me praktikat e saj të korruptuara. As Amerika, as Bashkimi Europian nuk mund të luftojnë korrupsionin në Maqedoni pa ndihmën e popullsisë vendore. Asnjë fuqi e jashtme nuk mund të bëjë atë që vetë qytetarët nuk janë të gatshëm të bëjnë për veten e tyre. Lufta kundër krimit në politikë nuk fitohet nga diplomatët apo organizatat ndërkombëtare; ajo duhet të vijë nga vetë qytetarët, nga guximi për të kundërshtuar të padrejtën dhe për të ndërtuar një sistem më të drejtë.
Në shumë vende të Europës, zemërimi popullor ndaj korrupsionit ka rrëzuar qeveri dhe ka transformuar politika shtetërore. Në Gjermani, Austri, Francë dhe vende të tjera, qytetarët nuk kanë pritur ndërhyrjen e huaj për të kërkuar llogari nga qeveritë e tyre. Ata kanë marrë fatin në duart e tyre përmes protestave dhe pjesëmarrjes aktive në vendimmarrje.
Edhe shqiptarët duhet të lënë pas kulturën e pasivitetit dhe të nënshtrimit. Heshtja dhe pranimi i politikës së gabuar janë miratim i heshtur për ata që abuzojnë me pushtetin. Forca për të ndryshuar realitetin nuk vjen nga jashtë, por nga brenda shoqërisë. Nuk është detyra e Amerikës apo e BE-së të shpëtojnë shqiptarët nga elitat e tyre të korruptuara – është detyra e çdo qytetari që refuzon të jetojë në një vend ku krimi dhe korrupsioni janë bërë normë.
Koha për të pritur ka mbaruar. Zgjidhja nuk do të vijë nga të tjerët; ajo duhet të vijë nga vetë shqiptarët, nga refuzimi për t’u dorëzuar dhe nga ngritja e zërit kundër abuzimeve.
Partitë politike kanë provuar të bëjnë marrëveshje mes tyre, por a ka ndryshuar diçka në përmirësimin e jetës së qytetarëve? A ka përmirësime në standardin ekonomik, infrastrukturë, arsim apo shëndetësi? Përgjigjja është e qartë: JO. Përkundrazi, gjithçka është shkatërruar dhe çdo parti që vjen në pushtet fillon të “plaçkisë” sërish, duke përfituar nga krimi i organizuar dhe duke keqpërdorur pushtetin. Prandaj, këtyre abuzuesve duhet t’u thuhet MJAFT!
Në këtë atmosferë dyshimi, qytetarët nuk kanë më rëndësi nëse dikush është socialdemokrat apo konservator; ajo që ka rëndësi është se ndihen të tradhtuar nga ata që qeverisin. Nëse elitat nuk ndryshojnë, historia ka treguar se ato do të rrëzohen.
Shqiptarët nuk duhet të durojnë më. Ata duhet të kërkojnë llogari për të kaluarën dhe të tashmen, duke i dërguar elitës një mesazh të qartë: qeverisja duhet të jetë transparente dhe në shërbim të qytetarëve. Në fund, vetëm ata që qeverisin me përgjegjësi do të kenë një vend në të ardhmen.
Mahmud Ibrahimi