Ky është Omeri 12 vjeç i cili u sulmua nga qentë endacakë. Ai ka luftuar mbi 15 minuta me rreth 10 qen të cilët ju vërsulën në lagjen “Prilepska” të Kërçovës. Omeri për TV21 rrëfen se si ndodhi gjithçka.
“Isha te halla ime dhe erdha këtu punonim me dru. I gjuajta në hangarë dhe më pas doja të ikja për në shtëpi. Hyra të vizitoj një shok dhe mu lëshuan qentë. Ishin diku 10 qen dhe më shtrinë në tokë. Nuk dija çfarë të bëja. Më pas doli Xheksoni dhe më pas doli edhe dhëndri dhe më sollën këtu. Prej këtu drejt në spital dhe më kanë qepur dhe ja tani po rri”, tha Omeri- fëmija i sulmuar nga qentë endacakë.
Për Omerin tani po kujdesën herë halla e herë motra sepse prindërit e kanë braktisur.
Në momentin e ngjarjes ishte dhëndri, burri i motrës, i cili i doli në ndihmë për t’i larguar qentë.
“Vrapova me gur me dru dhe i sulmoja qentë por assesi nuk donin të largoheshin 10-15 e kanë sulmuar. Djali është katastrofë, i mungojnë copa mishi nga trupi ka mbi 70 penj, fëmijën e kanë bërë leckë. Djali nuk ka prindër. Nëna e tij është martuar. Babain i tij e kam thirrur edhe para edhe pas ngjarjes që ta marrin. Na thanë nuk vijmë dhe unë si dhëndër patjetër ti dilja në ndihmë, e mora tek unë e dërgova në spital. E kanë qepur një orë e gjysmë”, shtoi Ramiz Demir- dhëndrri i Omerit.
Rasti është i paraqitur në polici, ndërsa çdo ditë pothuajse ka denoncime të ngjashme me qentë endacakë. Kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, thotë se numri i qenve në qytetin e Kërçovës është zvogëluar.
“Bëjmë injeksionet për mos me qenë agresiv dhe për gjërat tjera, pra trajtohen në çdo aspekt dhe numri i qenve në qytetin e Kërçovës është zvogëluar dhe uroj që mos na sjellin më, ju bëjë thirrje kryetarëve të dashur mos bartni qenë”, tha Dehari.
Dehari pasi sot vizitoi Omerin, menjëherë postoi një fotografi me të duke shkruar se çështja e qenve endacakë mbetet sfida që kërkon zgjidhje afatgjatë.