SERBIA SI MËSIM?!

Xhevdet Nasufi 

Euforia e ndryshimit të qeverisë në Maqedoninë e Veriut (MV) duket se po kalon sipas standardeve të së kaluarës, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin, institucionet dhe raportin me shqiptarët. Por kjo situatë nuk është e kufizuar vetëm në MV—Shqipëria është një tjetër shembull i kësaj problematike. Kur individi në politikë e vendos veten mbi sistemin dhe demokracinë, kur ai flet dhe vepron në emër të institucioneve për interesa personale, kur demagogjia shitet si sukses dhe konformizmi qytetar bëhet normë, atëherë as shteti nuk është funksional, as shoqëria nuk është e lumtur. Në vende të tilla mbizotëron mendësia: Pas meje, le të ndodhë ç’të ndodhë!

Një intelektual në Serbi, duke reflektuar mbi zhvillimet e fundit në vendin e tij—protestat studentore dhe grevat masive—e quajti Maqedoninë e Veriut një “vend të komplikuar”. Një përkufizim i saktë dhe i pashmangshëm. Kjo situatë duhet të shqetësojë studentët për të ardhmen, qytetarët për të tashmen, intelektualët për vlerat e zhvleftësuara dhe shqiptarët për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura.

Nëse shqiptarët në MV dhe Shqipëri janë qeverisur për mandate të tëra pa e objektivizuar interesin e tyre kombëtar, atëherë është e pandershme që të njëjtët qeveritarë të kërkojnë riqeverisje pa reflektuar mbi dështimet e tyre. Kjo vlen veçanërisht për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në MV dhe ngecjen e Shqipërisë në aspektin ekonomik, demokratik dhe të integrimit evropian. Edhe pse në fund të radhës në Ballkan dhe ish-shtetet jugosllave, MV dhe Shqipëria ngjajnë shumë me Serbinë e Vuçiqit, e cila vazhdon të mbahet peng i ideologjisë së Millosheviqit, ku demokracia dhe pushteti grumbullohen në duart e një individi.

Në këtë kontekst, orientalizmi politik ka zënë rrënjë të thella në MV, jo vetëm në shoqëri, por edhe në vetë institucionet. Si rezultat, MV, Shqipëria dhe Serbia sot mbeten në “oborrin” e Evropës së Bashkuar, në vend që të ishin në “dhomën” e saj—ndryshe nga shtetet e tjera të bllokut lindor që kanë avancuar më tej. Në këtë situatë, shqiptarët janë më të goditurit, sepse, përveç se jetojnë të ndarë në disa shtete, ata janë historikisht dhe politikisht më pro-evropianët. Kjo frymë politike u fuqizua nga Partia e Luftës, e cila, megjithëse pati në dorë sektorin e integrimeve për disa mandate, dështoi ta kapitalizojë këtë mundësi, ashtu siç po dështojnë sot qeveritë në trajtimin e çështjes shqiptare.

Amerika, si shembull i një demokracie funksionale, e ka kufizuar mandatin e presidentit në dy mandate, sepse qeverisja e tejzgjatur sjell autoritarizëm. Ndërkohë, liderët e Shqipërisë, MV dhe Serbisë kanë krijuar regjime që tashmë kundërmojnë autoritarizëm. Si ndodhi që shqiptarët, edhe në një sistem pluralist, të mbeten të bllokuar nga “mbretër” politikë që nuk largohen nga pushteti?

Një zgjidhje do të ishte kufizimi i mandateve, sidomos për liderët partiakë. Nëse mendësia racionale do të funksiononte si duhet dhe interesi publik do të vendosej mbi atë personal, atëherë do të kishim një shoqëri më të shëndetshme dhe një shtet të integruar në demokraci funksionale.

Protestat studentore dhe popullore në Serbi janë një sfidë e madhe edhe për Shqipërinë dhe MV. Qoftë tragjedia e Gërdecit, 21 Janari, korrupsioni i shfrenuar në të tre vendet, aksidentet e shumta, apo shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në MV—të gjitha këto nuk janë larg nga katastrofat e sistemit në Serbi. Ndaj, rruga e qeverisjes, funksionimi i institucioneve dhe barazia mes shqiptarëve dhe maqedonasve duhet të marrë drejtimin e duhur, gjithmonë në shërbim të paqes dhe stabilitetit.