Në buletinin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njoftohet për dy raste të mashtrimit të qytetarëve të Kumanovës të cilat janë raportuar gjatë ditës së djeshme, transmeton TV21.
Që të dy rastet paraqesin të njëjtën skemë të mashtrimit – individë të caktuar paraqiten si polic, dhe u marrin para qytetarëve, për gjoja se familjarë të tyre janë të përfshirë në aksidente të caktuara rrugore.
Paratë i kërkojnë në kundërvlerë të shlyerjes së dënimit.
“Më 30.01.2025 në ora 16.00 në SPB Kumanovë, një grua 65-vjeçare nga Kumanova ka denoncuar se është mashtruar nga një person në vlerë prej 2500 euro. Sipas të denoncuarës, personi i është paraqitur në telefon dhe i është prezentuar si nëpunës policor dhe e ka njoftuar se bija e saj ka shkaktuar aksident, duke shkelur një fëmijë emigrant dhe se duhet të paguajë shumë e caktuar të parave që të mos përgjigjet penalisht. Siç është denoncuar, ajo i ka dhënë paratë në vendin e dakorduar, kurse më vonë është dëgjuar me vajzën e saj dhe ka kuptuar se është mashtruar, gjegjësisht se ajo nuk ka shkaktuar aksident”, ky është rasti i parë që qëndron në buletinin e sotëm.
Rasti i dytë është:
“Më 30.01.2025 në ora 17.00 në SPB Kumanovë, një mashkull 83-vjeçar nga Kumanova ka denoncuar se është mashtruar nga një person në vlerë prej 100.000 denarësh. Sipas të denoncuarës, personi i është paraqitur në telefon, i është prezantuar se është nëpunës policor, i ka thënë se bijtë e tij dhe nusja kanë shkaktuar aksident, ku kanë shkelur një fëmijë emigrant dhe duhet të paguajë shumën e caktuar që të mos ndiqen penalisht. Siç është denoncuar, ai i ka dërguar paratë në vendin e dakorduar, kurse më vonë, pasi është dëgjuar me birin e tij, ka mësuar se ata nuk kanë pasur aksident dhe aty e ka kuptuar se është mashtruar”.
Për të dy rastet nga MPB thonë se ndërmerren masat për zbardhjen e rasteve.