Kuvendi mbajti seancën e 32të ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve. Seanca sapo filloi u dha një orë pauzë. Fronti Evropian kërkonte t’u dorëzohet rregullorja e re për punë. Pas pauzës, deputetja Arbana Pasholli, pyeti ministrin e shëndetësisë Arben Taravarin, se a do ta mbajnë premtimin që të heqin termin 20% për gjuhën shqipe, e shqipja të bëhet zyrtare në Kushtetutë. Taravari kërkon kohë.
“Keni thënë se në këtë mandat qeveritar gjuha shqipe nuk do të mbetet më gjuhë e 20% por do të jetë e përcaktuar qartë në Kushtetutë si gjuha shqipe gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase. Madje këtë do e bëni me ndryshimin e Kushtetutës”, tha Arbana Pasholli – Fronti Evropian.
“Ne jemi në Qeveri afro 7-8 muaj dhe kemi thënë se do të insistojmë dhe do të mundohemi që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, mos jetë gjuhë e 20% por mandati ynë deri tani kanë kaluar 7-8 muaj”, tha Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë.
Pasholli pyeti Taravarin edhe për ndryshimet kushtetuese.
“Ju edhe premtuat ndryshime kushtetuese për të hapur rrugën e RMV drejt integrimit në BE por siç duket nga e thëna në të bërë ka një mal të tërë dhe fatkeqësisht keni shkelur të gjitha afatet për të cilat vet jeni zotuar dhe duke dalë me guximin për të kërkuar edhe më shumë kohë”, pyeti Arbana Pasholli – Fronti Evropian.
“Ju ishit në pushtet shtatë mandate, nga viti 2002 ju premtoni se do të filloni negociatat dhe askund nuk jemi. Prej 2002, qe 20 vjet premtoni e bënit foto në avion se i fillojmë negociatat në 2018-tën, bile me atë që e keni në ekzil – non gratën, kemi qenë në një debat, e kam pyetur a je i sigurt se i fillojmë në 2018-tën tha ja publikisht e them se 1 qershor 2018 Maqedonia i fillon negociatat me Bashkimin Evropian”, u përgjigj Taravari.
Për të realizuar ndryshimet kushtetuese, Taravari i ofron Frontit, të hyjnë në Qeveri.
“Nëse ju keni formulë si mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, ua lëshojmë vendin në Qeveri, hyni zgjidheni. Nëse jo, heshtni, rrini në opozitë, reflektoni dhe reformohuni!
Duke krahasuar punën mes Taravarit dhe kreut të integristëve Ali Ahmeti, dy folësit hynë të komentojnë edhe CV-të e dy liderëve”, tha Taravari
“Për këtë lirisht mund t’i hidhni një sy biografisë të liderit të BDI-së i cili në këtë biografi nuk ka fjalë por ka vepra”, u shpreh Arbana Pasholli – Fronti Evropian.
“Se di CV-në e z.Ahmetit por sot do ta shoh. Por seriozisht nuk e di ku ka diplomuar”, tha Taravari./ Alsat.mk