Bojkoti i marketeve jep efekt, nisin uljet e çmimeve në Kroaci

Pak ditë pasi qytetarët kroatë i bojkotuan marketet për shkak të çmimeve të larta, janë dhënë efektet e para. Një prej zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve në Kroaci, “Konzum” ka njoftuar për ulje të çmimeve në rreth 250 produkte.

Pas protestës, Qeveria njoftoi për një listë me rreth 70 produkte të cilave iu caktua zbritja, pas takimit me bizneset. Tani listës i janë shtuar edhe 250 produkte të tjera nga kompania e njohur.

Siç ka bërë të ditur kjo kompani, bëhet fjalë për “produkte aktraktive” që zakonisht gjenden në shportat e klientëve.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Çmimet më të ulëta nuk do të lëvizin deri më 1 qershor, pos nëse ulen edhe më tej.

Zbritja mesatarisht është 10 për qind, ndërsa në disa produkte ulja mbërrin deri në 30 për qind.