Taravari kërkoi një vit për ndryshimet kushtetuese, Ademi: Gënjeshtra prap vazhdoi! Duhet të arsyetojnë dështimet vetëm për të qëndruar në Qeveri

“Na jepni neve një vit, atyre ua keni dhënë 10 vite”, kështu deklaroi në Daily Click Arben Taravari kur u pyet për ndryshimet kushtetuese, për të cilën reagoi Arbër Ademi nga BDI. Ademi tha se, gënjeshtra prap vazhdoi dhe shtoi se, VLEN duhet të vazhdojnë të gënjejnë dhe të arsyetohen për dështimet e shumta, vetëm për të qëndruar një ditë më shumë në qeverinë e Stoillkoviqit.

“Gënjeshtra prap vazhdoi! Kujtimet na vijnë pas…

Gënjyen kur nënshkruan Deklaratën e përbashkët si parti politike shqiptare, duke premtuar se nuk hyjnë në qeveri pa ndryshime kushtetuese!

Gënjyen kur deklaruan se ndryshimet kushtetuese janë parakusht, jo kusht, për t’u bërë pjesë e qeverisë.

Gënjyen kur thanë se menjëherë pas formimit të qeverisë do ta nisin procedurën e ndryshimeve kushtetuese!

Gënjyen kur thanë se në qershor, ose më së voni në korrik, do të fillojnë me ndryshimet kushtetuese!

Gënjyen kur thanë se po presin zgjedhjet në Bullgari dhe në Europë!

Gënjyen kur thanë se kanë vendosur një afat tre mujor për Qeverinë për të rinisur procedurën!

Gënjyen kur thanë se brenda 6 muajve kjo çështje do të mbyllet!

Gënjejnë edhe sot, kur thonë se brenda këtij viti do ta rikthejnë Maqedoninë e Veriut në binaret e perëndimit!

Askush nuk i pyet për asgjë. Është për të ardhur keq edhe për ta. Duhet të vazhdojnë të gënjejnë dhe të arsyetohen për dështimet e shumta, vetëm për të qëndruar një ditë më shumë në qeverinë e Stoillkoviçit”, ka shkruar Ademi.