Një vajzë dhe një djalë kanë përfunduar në spital pasi kanë pirë alkool në dy raste të ndara

Gjatë natës, në dy raste të ndara, dy adoleshentë janë dërguar në spital pa ndjenja pasi kanë konsumuar alkool në një diskotekë në Gostivar. Policia ka nisur hetimet dhe po merr masa për zbardhjen e ngjarjes, transmeton lideri.mk. Sipas informacioneve nga Qendra Emergjente në Gostivar, bëhet fjalë për një vajzë të mitur, ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me një djalë poashtu në moshë të mitur.

Në ora 00:55 nga Qendra Emergjente në Gostivar është raportuar se një vajzë e mitur është sjellë pa ndjenja. Sipas informacioneve fillestare, ajo paraprakisht kishte konsumuar alkool në një diskotekë në Gostivar. Mjekët kanë nisur menjëherë ndërhyrjen, ndërsa policia ka marrë masa për zbardhjen e rastit.

“Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave. Janë njoftuar prindërit e të miturës dhe po merren masa për parandalimin e këtij lloj incidenteve”, njoftoi MPB.

Pothuajse tre orë më vonë, Qendra Emergjente e Gostivarit ka raportuar sërish se është sjellë një i mitur pa ndjenja, për të njëjtën arsye – konsumimi i alkoolit në një diskotekë, transmeton Lideri.mk. Policia po vijon hetimet dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

“Jemi duke punuar në zbardhjen e të gjitha fakteve dhe do të marrim masat e duhura në të ardhmen”, shtoi MPB.