Robotët do të kujdesen për të moshuarit në Kinë

Për të përballuar sfidat demografike, Kina ka njoftuar përfshirjen e robotëve në shërbimet për kujdesin për të moshuarit. Njoftimi nga Këshilli Shtetëror Kinez është pjesë e masave politike të vendit, të cilat synojnë integrimin e teknologjive të avancuara në kujdesin për të moshuarit, raporton “South China Morning Post”.

Udhëzimet, të lëshuara më 30 dhjetor 2024, theksojnë zhvillimin e robotëve tru-kompjuter dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale të personalizuar për kujdesin ndaj të moshuarve.

Kina synon të krijojë rrjet kombëtar gjithëpërfshirës të shërbimeve të kujdesit për të moshuarit deri në vitin 2029, dhe deri në vitin 2035, vendi pritet t’u sigurojë të gjithë pleqve qasje në shërbimet bazë përmes një sistemi të kujdesit të zhvilluar mirë dhe që përgjigjet në mënyrë efektive nevojave të një popullsie që po plaket gjithnjë e më shumë.

Kësisoj, Kina planifikon që për këto nevoja të të moshuarve mund të kujdesen më së miri robotët. Deri në fund të vitit 2023, Kina kishte më shumë se 216.76 milionë qytetarë të moshës 65 vjeç e lart, që përbënin 15.4 për qind të popullsisë totale.

Ky ndryshim demografik tregon kërkesë kritike për zgjidhje inovative të kujdesit duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të vetëm 8.2 milionë shtretërve të kujdesit për të moshuarit në mbarë vendin.

Qeveria kineze jo vetëm që po integron robotë me aftësi të avancuara ndërveprimi në sektorin e kujdesit, por gjithashtu po zhvillon sisteme në shtëpi për të përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës së të moshuarve. Këta robotë përdoren gjithnjë e më shumë për shoqërim emocional, monitorim shëndetësor dhe ndihmë në shërbimet inteligjente shtëpiake.