
Ali Ahmeti përmes rrjetit social facebook ka kritikuar Qeverinë duke thënë se vendimi i djeshëm për ta degraduar pozicionin e gjuhës shqipe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, ishte skandaloz, kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe antikushtetues.
“Vendimi i djeshëm i shumicës parlamentare pa legjitimitet etnik për ta degraduar pozicionin e gjuhës shqipe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, nga gjuhë e detyrueshme zyrtare në gjuhë me kërkesë të palës përfituese, është skandaloz, antikushtetues dhe në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.Ky hap është vazhdimësi e rrënimit sistematik të Marrëveshjes së Ohrit dhe për ne ky vendim është i papranueshëm.
Kjo zgjidhje përfaqëson një hap prapa në përpjekjet tona për barazi dhe drejtësi.
Shqiptarët nuk do të pranojnë asnjë tentativë për të cenuar të drejtat e garantuara dhe për të kthyer vendin drejt ndarjeve të së shkuarës” – ka shkruar Ahmeti.