Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelia. Përmes avokatit Genci Gjokutaj, Meta ka depozituar një rekurs kundër vendimit të 19 nëntorit 2024, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
“Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 vitesh që kanë pasur aktet nëpër duar. Meta ka dhënë shpjegime të hollësishme, ka zgjedhur si mënyrë përballjen përmes shpjegimit jo shmangien.
Meta kurdo të thirret nga SPAK do paraqitet dhe do të japë shpjegime. Ne pritshmëritë i kemi nga vetja. Këtë punë kishim dhe me Berishën, ishim të bindur deri në fund deri sa u bindën…. ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg, pastaj nga pikëpamja e kapjes së këtyre që kam unë pas kurrizit, historia nuk është pozitive. Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet që deri tani nuk e ka treguar.
Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është e njëjta rrugë që ndoqëm dhe me Berishën, do t’i drejtohemi Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme. Pasi të lexoj vendimin do mundohem ta kuptoj dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj”, deklaroi avokati Gjokutaj.
Meta qëndron në paraburgim teksa po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.