Është konfiskuar një veturë me targa gjermane, e projektuar dhe përshtatur posaçërisht për fshehjen e mallit, njoftoi Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut. Nga aty thonë se rasti është zbuluar në dalje të pikës kufitare “Tabanovc”, ku vetura është kontrolluar me skaner mobil, ndërsa në dyer janë zbuluar bunkerë, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të shkeljes së rregullave doganore kundër drejtuesit të veturës, shtetas i Maqedonisë, do të paraqitet kallëzim përkatës në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Përveç këtij rasti, doganierët gjetën rreth 130 veshje dhe këpucë të vendosura në valixhe dhe çanta në bagazhin e një veture me targa maqedonase, me të cilat dy shtetas të Maqedonisë ishin regjistruar për të hyrë në vendkalimin kufitar “Mexhitlija”.
Në vendkalimin kufitar “Dojran” në një veturë janë zbuluar 67 veshje, ndërsa në vendkalimin “Tabanovc” në bagazhin e një veture janë gjetur 329 shirita kineziologjik për mbajtje të muskujve. Në “Bllacë”, nga ana tjetër, janë zbuluar 2900 xhama PVC.
Gjatë kontrollit të mallit me origjinë nga Kina të destinuara për një kompani nga Strumica, sipas Doganës janë konfiskuar 156 lodra për fëmijë me marka të mbrojtura për shkak të dyshimit se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.
Gjatë kontrollit të mallit me origjinë nga Turqia, janë sekuestruar 406 veshje me marka të mbrojtura në treg nën dyshimin për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.