Një fenomen shqetësues po përshkallëzohet në Strugë: punësimet nepotike . Dikur shqiptarët në Strugë përballeshin me diskriminim në bazë etnike gjatë procesit të punësimit, por sot po përballen me një tjetër sfidë, atë të diskriminimit brenda llojit shkruan Strugalajm.
Sipas reagimeve të shumta që kanë mbërritur në redaksinë e Strugalajm, punësimet me bazë familjare dhe klienteliste janë bërë normë në disa institucione të qytetit. Në disa raste, brenda të njëjtit institucion mund të gjenden të punësuar dy ose tre anëtarë të së njëjtës familje. Kjo praktikë jo vetëm që dëmton integritetin dhe profesionalizmin e institucioneve, por krijon një klimë të pabarabartë duke shkelur hapur të drejtën kushtetuese për shanse të barabarta në punësim.
Burimet tona tregojnë se një analizë e hollësishme e institucioneve, qofshin ato lokale apo shkollore, do të zbulonte lidhje të shumta nepotike dhe klienteliste. Madje, në disa raste janë evidentuar konflikte të pastra interesi.
Në të kaluarën, fajësonim të tjerët për politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në procesin e punësimit. Sot, megjithatë, situata është ndryshuar, dhe kjo për keq. Politikat nepotike janë kthyer në një nga arsyet që Struga po boshatiset gradualisht nga shqiptarët. Në vend që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë, sistemi po favorizon të afërmit dhe të njohurit, duke lënë jashtë shumë individë të kualifikuar dhe të motivuar.
Nëse ky fenomen nuk ndalet, pasojat do të jenë të rënda për të ardhmen e qytetit. Institucionet që bazohen në nepotizëm nuk mund të jenë efikase, dhe rinia shqiptare do të vazhdojë të kërkojë mundësi më të mira jashtë vendit. Në fund, të gjithë humbasin. Struga ka nevojë për një zgjim kolektiv dhe një ndryshim të qasjes për të ndalur këtë spirale të rrezikshme.
Sipas të dhënave nga regjistrimet e popullsisë të viteve 2002 dhe 2021, Komuna e Strugës ka pësuar ndryshime të konsiderueshme demografike.
Popullsia e përgjithshme:
2002: 63,376 banorë
2021: 50,980 banorë
Kjo tregon një rënie prej 12,396 banorësh, ose afërsisht 19.6% gjatë kësaj periudhe.
Përbërja etnike:
Shqiptarë:
2002: 36,029 banorë (56.85%)
2021: 25,785 banorë (50.58%)