Kabineti i kryetarit të Kuvendit: Ilire Dauti nuk është shkarkuar pas miratimit të interpelancës ndaj saj

Miratimi i Interpelancës për kryetaren e Komisionit për politikë sociale Ilire Dauti, nuk nënkupton shkarkimin e saj nga pozita e kryetares, ritheksojnë nga kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi.

“Deklaratat e disa mediave se rezultati i votimit të interpelancës kërkon shkarkimin e zonjës Dauti janë të pasakta. Theksojmë se votimi i interpelancës është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja juridike të detyrueshme për shkarkim dhe nuk ka efekt juridik. Emërimet dhe shkarkimet rregullohen me procedura të tjera të veçanta të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, me ligjet dhe Kushtetutën”, thonë nga Kabineti i kreut të Kuvendit, Afrim Gashi.

Interpelanca për Dautin u miratua një ditë me 61 vota për nga VMRO-DPMNE-ja, ZNAM dhe E Majta. Nga ZNAM thonë komunikata e kabinetit të Gashit është e paqartë dhe se Dauti është e shkarkuar.

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ia ka përcaktuar përgjegjësinë znj. Dauti, ajo padyshim e ka shkelur Rregulloren e punës, ndërsa sanksioni për shkeljen e Rregullores është shkarkim për personin që e ka bërë atë shkelje. Për ZNAM, me miratimin e interpelancës, Ilire Dauti është shkarkuar dhe nuk mund të kryejë më funksionin kryetares në trupin punues të Kuvendit. Presim që opozita, së cilës sipas ndarjes paraprake i është dhënë mandati kryetares në këtë komision, të hënën menjëherë të propozojë një kandidat të ri për këtë post”, thonë nga ZNAM.

Dauti ka reaguar sot në rrjetet sociale. Ajo shkurt shkruan:

“Me qenë Taravar, edhe i shkarkuar mundesh me qenë kryetar, por unë jam Ilire!”, ka shkruar Ilire Dauti, Kryetare e Komisionit për politikë sociale.
Interpelanca ndaj kryetares së Komisionit për politikë sociale në Kuvend Ilire Dauti ishte dorëzuar nga E Majta, pas refuzimit të saj të vendosë në rend dite në komision ligjin për kompensimin monetar të branitellave.