Paraburgim për dy persona të dyshuar për zhvatje parash dhe djegien e një veture në Shtip

Paraburgimi 30 ditor u është caktuar dy personave nga Shtipi, të cilët dyshohen se kanë kryer dy vepra penale – zhvatje dhe shkaktim të rrezikut publik, transmeton Portalb.mk.

Të dyshuarit, siç bën të ditur sot Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shtip, në ditët e fundit të vitit të kaluar, personit të tretë i kanë dërguar disa mesazhe kërcënuese, me qëllim të zhvatjes së parave nga ai.

I dëmtuari, shtoi Prokuroria, i përballur me kërcënime serioze për jetën e tij dhe të familjarëve të tij, ka raportuar të dyshuarit në policinë e Shtipit.

Më pas, sipas përshkrimit të rastit nga Prokuroria, më 4 janar të këtij viti është organizuar takim, në të cilin të dyshuarit duhej t’i merrnin 30 mijë denarë. Punonjësit e policisë i kapën duke tentuar t’i merrnin paratë viktimës dhe i arrestuan.

PTHP-ja e Shtipit paraprakisht kishte siguruar prova që jepnin dyshime të arsyeshme se të njëjtit me 16 dhjetor para një objekti në rrugën “Sremski Front”, qëllimisht e kanë djegur veturën “Seat Leon” të parkuar në pronësi të një gruaje.

Në atë mënyrë, shton Prokuroria, të dyshuarit me dashje kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupat e njerëzve.

Për këta persona Prokuroria Publike Shtip ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, ndërsa për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët apo përsëritjes së akteve, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Shtip propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.