LSM: Është mirë që punëdhënësit e kanë kuptuar nevojën për rritjen e pagës minimale në 500 euro

Lidhja e Sindikatave vlerëson se është për t’u përshëndetur fakti që punëdhënësit e kuptuan nevojën për rritjen e pagës minimale në 500 euro ose 31 500 denarë. Sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafillov në këtë mënyrë bizneset do t’i mbajnë punëtorët në vend.

“Është mirë që edhe punëdhënësit e kanë kuptuar nevojën për rritjen e pagës minimale dhe sot edhe ata propozojnë rritjen e saj, me qëllim që t’i mbajnë punëtorët e kualifikuar dhe të punësohen punëtorë të rinj. Lidhja e sindikatave të Maqedonisë menjëherë ua jep dorën për rritjen e pagës minimale në më së paku 500 euro, aq sa edhe vetë propozojnë”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, paraprakisht pati deklaruar se kushti i vetëm që e kanë punëdhënësit është që Qeveria të mos i rris kontributet. Pra, edhe nëse paga minimale rritet në 500 euro, kontributet të mbesin të njëjta. Qeveria nuk e precizoi nëse do të pranohet ose jo kjo kërkesë, por tha se lidhur me këtë çështje është formuar këshilli ekonomiko social, ku do të trajtohen të gjitha kërkesat e palëve të përfshira.

“Ju informojmë se Qeveria do të pranojë gjithçka që do të merren vesh mes vete sindikatat, tregtarët, punëdhënësit dhe punëtorët. Ligji aktual për pagën minimale është miratuar në harmonizim me të dyja palët. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për vendim ligjor, për të cilën duhet harmonizim nga të dyja palët, Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Qeveria, në suaza të këshillit ekonomiko-social do t’i lejojë sindikatat dhe punëdhënësit vetë të merren vesh për lartësinë e pagës minimale, ndërsa çdo vendim që do të merret dhe harmonizohet, do ta mbështesim”, thonë Qeveria.

Kreu i Sindikatës tha për Alsat se rritje të pagës minimale në fillim të vitit kishte në të gjithë rajonin. Për dallim prej Maqedonisë së Veriut, ku paga minimale është 22 500 denarë, Trendafillov thotë se në Bullgari me vendim të Qeverisë paga minimale ka arritur në 550 euro.

Në Bosnjë- Hercegovinë mbi 500 euro. Në Serbi përmes dialogut social këtë vit paga arrin rreth 457 euro. Në Kroaci, është pranuar propozimi për rregullimin e pagës minimale, me çka paga minimale neto në vitin 2025 atje, do të jetë 750 euro. Ndërsa në Mal të Zi, në shtator të vitit që lamë pas u miratuan një sërë ligjesh fiskale, ku punëtorët që nga viti 2024, kanë filluar të marrin paga minimale prej 600 deri në 800 euro, varësisht prej nivelit të arsimit./Alsat.mk