VLEN: BDI shkatërroi mjedisin, VLEN me masa konkrete për ajër të pastër

BDI e ka ndotur shoqërinë shqiptare me kriminalitet, kazino, tenderë, amoralitet dhe nepotizëm. Pas 22 vitesh në pushtet, sot, pikërisht sot, BDI-së i erdhi ndër mend për herë të parë të kujdeset për mjedisin jetësor ku jetojnë qytetarët tanë. Kështu thuhet në reagimin e VLEN-it, ku shtohet se BDI është parti gjatë mandatit të së cilës Tetova nuk mori ujë, por mori një deponi në mes të qytetit, Kërçova nuk mori ajër të pastër, por mori një deponi në mes të qytetit, Struga nuk mori statusin e një komune të suksesshme, por njëashtu mori një deponi në mes të qytetit.

“Ndotja e ajrit nuk është problem i djeshëm. Gjendja me cilësinë e ajrit përbën një sfidë shumëvjeçare, e cila kërkon masa sistematike dhe strategjike. Për fat të keq, mangësitë e grumbulluara nga vitet dhe qeveritë e kaluara nuk mund të kapërcehen për disa muaj.
Qeveria po ndërmerr aktivitete për vendosjen e kontrollit të plotë mbi kapacitetet industriale, promovimin e burimeve ekologjike të ngrohjes, si dhe inspektime të vazhdueshme dhe të intensifikuara dhe bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale.

Për herë të parë, qeveria ka miratuar një “Program kundër ndotjes së ajrit 2024-2030”. Qeveria tashmë ka miratuar një dokument strategjik planifikues me qëllime konkrete programore dhe paketa projektesh që synojnë uljen e emetimit të grimcave të ngurta në qytete. Për më tepër, është përgatitur një Plan Veprimi për sezonin e ngrohjes, i cili parashikon masa të menjëhershme dhe afatshkurtra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe uljen e ndotjes së ajrit.

Po zbatohen inspektime të intensifikuara dhe kontrolle ndaj të gjithë ndotësve të mundshëm. Ministria e Mjedisit Jetësor, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, po zbaton kontrolle të intensifikuara dhe të jashtëzakonshme mbi kapacitetet industriale me leje të integruara mjedisore A. Monitorohet vazhdimisht edhe cilësia e ajrit dhe publiku informohet rregullisht për gjendjen dhe masat e rekomanduara për mbrojtje.

Shqetësimi i qytetarëve është përgjegjësia jonë e përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se qytetarët po përballen me probleme reale që lidhen me ndotjen e ajrit. E pikërisht për këtë arsye, në vend të akuzave të ndërsjella dhe përpjekjeve për të mbledhur pikë politike, është e nevojshme bashkëpunimi konstruktiv dhe mobilizimi i të gjitha palëve të interesuara si institucioneve shtetërore, komunave, organizatave joqeveritare dhe sektorit të biznesit.

VLEN mbetet i përkushtuar në zbatimin e masave të miratuara dhe përmirësimin e rregulloreve ligjore për mbrojtjen e mjedisit jetësor. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, përfshirë edhe BDI-në, të kontribuojnë në përpjekjet e përbashkëta me propozime konkrete, mbështetje dhe përgjegjësi të ndarë sepse një mjedis jetësor i shëndetshëm është prioritet për të gjithë qytetarët.

Prandaj, në vend të përpjekjeve për politizimin e këtij problemi, VLEN i fton të gjithë aktorët të përqendrohen në zbatimin dhe përmirësimin e masave dhe programeve tashmë të miratuara, me qëllim që të sigurojmë ajër të pastër dhe një mjedis jetësor më të shëndetshëm për të gjithë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.