
Një stuhi e madhe ka përfshirë pjesë të Arabisë Saudite, përfshirë Mekën, duke shkaktuar përmbytje në disa zona. Fotot nga periferia e qytetit tregojnë automjete pothuajse tërësisht të përmbytura.
Shërbimi Meteorologjik i Arabisë Saudite ka lëshuar një alarm të kuq për Mekën, Medinën dhe qytetin port Xheda, i cili gjithashtu ishte vendi i një përmbytjeje katastrofike në vitin 2009, ku humbën jetën mbi 100 persona.
Pamjet tregojnë banorët duke braktisur makinat e tyre në rrugë për t’u larguar në vende të sigurta.
Departamenti i Arsimit në Medinë ka publikuar foto të punëtorëve që riparojnë energjinë elektrike dhe kondicionerët, si dhe që largojnë ujin e grumbulluar.
Në Dubai, përmbytjet kanë përfshirë aeroportin dhe shumë rrugë përreth, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve.