Shuhet ish-kryeministri grek Kostas Simitis!

Në moshën 88-vjeçare, mëngjesin e sotëm ka vdekur papritur ish kryeministri i Greqisë dhe ish lideri i PASOK-ut, Kostas Simitis, i cili e futi vendin në Eurozonë gjatë dy mandateve të tij.

Ai ishte edhe kryeministri i parë grek që e vizitoi Shkupin në vitin 2000 për Konferencën e vendeve të Ballkanit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Simitis ishte kryeministër në periudhën nga janari i vitit 1996 deri në mars të vitit 2004 dhe ndër sukseset më të rëndësishme të tij ishte anëtarësimi i Greqisë në Eurozonë, ndërsa mandati i tij tetëvjeçar si kryeministër u lidh edhe me projektet e mëdha të infrastrukturës për përgatitjen e Lojërave Olimpike në Athinë në vitin  2004 dhe integrimi i Qipros në Bashkimin Evropian.

Në fund të tetorit të vitit 2000, si kryeministër i Greqisë, ai vizitoi Shkupin gjatë Konferencës së vendeve të Ballkanit dhe u takua me kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë Ljubço Georgievski dhe sipas raporteve të mediave të asaj periudhe, kryetarët e dy qeverive atëherë diskutuan intensivisht për arritjen e zgjidhjes për emrin, ndërsa propozimi që ishte në tryezë ishte “Republika e Maqedonisë së Epërme”.

Si ish kryeministër, ai shpesh theksoi nevojën për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen mes dy vendeve, por për Marrëveshjen e Prespës, në një fjalim të tij në Selanik, tha se “problemi duhej të ishte zgjidhur, por zgjidhja nuk është e kënaqshme”.

Simitis konsiderohej një politikan i moderuar në Greqi dhe është ndër kryeministrat më të rëndësishëm të vendit.

Në karrierën e tij politike, para se të bëhej kryeministër ka qenë ministër i Financave, Tregtisë, Arsimit, Industrisë dhe Energjetikës, ndërsa ka qenë deputet i Kuvendit të Greqisë për gati 24 vjet (nga viti 1985 deri në vitin 2009).

Sipas mediave greke, Simitis nuk ka pasur probleme shëndetësore, ai ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e tij të uikendit në Peloponez, ndërsa herët në mëngjes është dërguar në spital në gjendje të pavetëdijshme me autoambulancë, ku është konstatuar vdekja.