Kompleksi i apartamenteve në bregdetin e Strugës, i njohur si „Eurohotel“, është në gjendje të rrënuar dhe po shpërbëhet. Administrata e re e komunitetit ka ngritur një sërë akuzash ndaj ish-menaxherit. Ata pretendojnë se ai ka lënë një çati të papërdorshme nga e cila rrjedh ujë në apartamente, hapësira të përbashkëta të shkatërruara dhe të mbushura me mbeturina, restorante, bare dhe ambiente të tjera të plaçkitura. Akuzat përfshijnë neglizhencë të plotë ndaj objektit, shkruan MRT.
“Na la një objekt të rrënuar me një mori problemesh. Nga një çati e papërdorshme deri te një numër problemesh pronësore dhe ligjore. Ish-menaxheri kishte një mënyrë arbitrare të menaxhimit; ai e ndërpriste rrymën sipas dëshirës dhe tarifat për mirëmbajtje vendoseshin sipas vullnetit të tij – disa paguanin, disa jo,” tha Igor Çekiçevski, kryetar i bordit mbikëqyrës të „Eurohotel“.
Në „Eurohotel“ ka edhe probleme pronësoro-juridike. Pronarët e apartamenteve akuzojnë ish-menaxherin për përvetësim të paligjshëm të tyre.
„Ka hyrë dhunshëm në ato apartamente, ka thyer bravandhe i ka dhënë me qira për afro dhjetë vite. Bëhet fjalë për një numër apartamentesh midis 25 dhe 35. Të gjitha këto apartamente kanë pronarë të vlefshëm, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë, por kanë kontrata të vlefshme blerjeje me investitorin Palace Turist,“ shtoi Çekiçevski.
Në „Eurohotel“ ka gjithsej 325 apartamente, nga të cilat 255 kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër kanë pronarë, por jepen me qira në mënyrë të paligjshme.
Ish-menaxheri i mohon akuzat, duke pretenduar se kishte autorizim që nga viti 2017 për të menaxhuar apartamentet.