Mungon “Veriu” në 1/4 e patentë shoferëve, policia solidarizohet me vërejtje ndaj vozitësve

Periudha e festave i ka liruar qytetarët, të paktën për një shkelje në trafik. Ndonëse Ligji për siguri në komunikacion parasheh që nga 1 Janari të mos vlejnë dokumentet e qarkullimit në trafik me emrin e vjetër të shtetit, Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, njoftoi se njëherë do të ketë vetëm vërejtje.

“Jemi në ditën e pestë prej kur se ka hyrë në fuqi vendimi për vazhdimin e lejeve të qarkullimit dhe patentë shoferëve vetëm me emrin e ri kushtetues, por jo të gjithë qytetarët i kanë bërë ndërrimin e dokumenteve përkatëse”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Qytetarët janë të ndarë në këtë situatë. Disa thonë se nuk duhet të shqiptohen gjoba, ngaqë dokumentet janë të vlefshme me afat, kurse disa të tjerë thonë se vetëm gjobat iu sjellin mendjen për të vepruar.

Ndërkohë, Ministria e brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ende patentë shoferët me emrin e vjetër kushtetues që t’i ndërrojnë të njëjtat. Aktualisht çereku i shoferëve kanë mbetur pa i ndërruar ato, ndonëse numri i patentë shofereve aktivë ka kaluar 1 milionëshin në vend.

“Nga data 05.07.2021 e deri më 31.12.2024 numri i patentë shoferëve me emrin e ri kushtetues ka kaluar mbi 800,000. Ministria e punëve të brendshme rikujton qytetarët se vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin e vjetër kushtetues përfundon në fundvit dhe nga 01.01.2025 në përputhje me ndryshimin e Ligjit për sigurinë në komunikacion, gjobat janë 100 euro për ata që shkelin këtë ligj”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Policia kumton se kanë forcuar kapacitetet e personelit, duke marr masa që qytetarët të tërheqin sa më shpejt dokumentet e tyre me emrin e ri te shtetit “NMK”. Procedura për marrjen e dokumenteve personale, të udhëtimit dhe të automjeteve zhvillohet pa probleme dhe pa ndërprerje, njoftojnë nga autoritetet përkatëse.