Siljanovska vendos veto! Nuk e nënshkruan Dekretin i cili parashikon që licencat në çerdhet të jenë në dy gjuhë!

Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova nuk e ka nënshkruar Dekretin për hyrjen në fuqi të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Për këtë veprim, presidentja e ka njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Edhe nga LSDM konfirmuan se Davkova ka vendosur veto ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, nga ku bënë thirrje që qeveria të heqë dorë plotësisht nga ndryshimet në Ligj, të cilat, sipas tyre, nuk janë kushtetuese dhe janë miratuar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

“Ne e përshëndesim mosnënshkrimin e Dekretit nga ana e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, me çka hapet kjo mundësi, dhe kërkojmë nga qeveria që të tërhiqet nga synimet për shkak të dispozitave të diskutueshme që përmban. Neni 9 dhe Neni 10 i Projektligjit për ndryshim, i propozuar nga Qeveria, nënkupton futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është kontestuese se ky segment rregullohet me një ligj tjetër që përcakton përdorimin e gjuhëve, por edhe me Kushtetutën e shtetit.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.