Spitalet modulare në të gjithë shtetin, të cilat u hapën gjatë pandemisë së Covid-it, mbeten jashtë funksionit. Pas djegies së spitalit modular në Tetovë, shumë shpejt u mbyllën të gjitha. Por në Strugë planifikojnë që në fillim të vitit 2025 ta rikthejnë në funksion spitalin modular, pasi është mëse e sigurt se nuk ka asgjë nga njoftimet për ndërtimin e spitalit të ri në dalje të qytetit, diçka që është premtuar nga pushteti i BDI-së, dhe me të cilën supozohej se do të zgjidhej problemi me mungesën e hapësirës dhe kushteve joadekuate të punës në disa njësi.
“Kemi spital modular dhe vetëm tre-katër nga ato spitale në Maqedoni i kanë të gjitha certifikatat për punë, me të gjitha procedurat dhe masat e sigurisë dhe mund të vihet plotësisht në funksion. Mirëpo, meqenëse ka tre vjet që është i pashfrytëzuar, do të kërkojmë sërish nga institucionet përkatëse që të shqyrtojnë dhe të japin mendim tjetër, nëse diçka duhet të riparohet dhe të merret tjetër certifikatë përfundimtare e sigurisë për punë”, tha Vlladimir Bunçeski – drejtor i Spitalit të përgjithshëm të Strugës.
Bunçeski thotë se në ndërkohë do të duhet të ndërrohet kulmi që është kondensuar dhe të kontrollohet edhe një herë instalimi elektrik. Në spitalin modular të Strugës do të transferohet reparti infektiv, spitali intern ditor si dhe reparti për procedura endoskopike. Në ndërkohë, objekti modular në Strugë është shfrytëzuar si deponi për mbeturina.
“Tani qëndron e zbrazët. Të gjitha mbeturinat nga spitali, hekurishtet, aparatet e prishur rëntgen, shtretërit e kështu me radhë. Shërbimi im teknik e rregulloi gjitha këtë”, shtoi Vlladimir Bunçeski – drejtor i Spitalit të përgjithshëm të Strugës.
Sipas analizës, institucionet publike shëndetësore kanë deklaruar se duhet të përdorin spitalet modulare për ambulancat apo hapësira administrative, shprehen për Alsat nga Ministria e Shëndetësisë.
“Përndryshe, spitali modular në Klinikën infektive me vendim të Qeverisë i është caktuar në përdorim të përhershëm Ministrisë së Mbrojtjes”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga gjithsej 18 spitale modulare që janë ndërtuar, vetëm tre janë në funksion.