RMV, mbi 66.5 milionë euro të ardhura nga pagesat rrugore gjatë vitit 2024

Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore e mbylli vitin 2024 me të ardhura të realizuara mbi 66.5 milionë euro në bazë të mbledhjes së pagesave rrugore, transmeton Portalb.mk.

“Krahasuar me vitin 2023, është 270 milionë denarë ose mbi 4,32 milionë euro më shumë. Për sa i përket frekuencës totale të automjeteve për vitin 2024, janë 62,662,988 automjete të kaluara me 99,2% të tarifuara. Për të reduktuar numrin e të ashtuquajturve jopagues, Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore (NPRrSH-ja) organizoi 23 kontrolle veprimi në periudhën gusht-dhjetor 2024 së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Transportit dhe me ndihmën e Ministrisë së Brendshme, me të cilat mund të konkludohet se kishim më shumë se një vit të suksesshëm”, thonë Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore.

Ndryshe, në mënyrë që t’i ikin pikë-pagesës rrugore prej 60 denarëve në Milladinovc e cila për qytetarët e Kumanovës është e lartë, ata kalojnë nëpër rrugën rajonale nga fshati Rramanli e cila është shumë e dëmtuar me plot gropa. Kumanovarët kërkojnë ose uljen e çmimit të pagesave rrugore ose të rregullohet rruga rajonale. Megjithatë, nga ana e autoriteteve nuk ka shpresë se kërkesat e tyre do të zgjidhen.

Ndryshe, drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugët shtetërore, Koce Trajanovski, ka sqaruar që në muajin gusht për herë të parë janë grumbulluar mbi 7.8 milionë euro nga pagesat rrugore. Në korrik në Maqedoninë e Veriut për 260 mijë euro ishte rritur grumbullimi te pagesat rrugore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore” më herë kishte raportuar që në vitin 2020 nga mjetet e grumbulluara në bazë të taksave rrugore janë realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro, ndërsa viti 2023 u përmbyll me 62 milionë euro.