Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë janë vrarë në Cetinje të Malit të Zi

12 persona të vrarë dhe katër të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje kritike. Ky është bilanci nga ngjarja e tmerrshme në Cetinjë të Malit të Zi që ndodhi pasditen e një janarit. Sipas autoriteteve malazeze, 45-vjeçari Aco Martinoviç vrasjet i ka kryer në pesë lokacione të ndryshme, ndërkaq në mesin e viktimave ka edhe dy fëmijë.

Në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.

Pas kryerjes së vrasjeve masive, Martinoviç është rrethuar nga forcat policore malazeze afër shtëpisë së tij ku ka tentuar dhe të vrasë veten. Nga plagët e marra, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Incidenti, sipas autoriteteve malazeze ka ndodhur pas një zënke në një restorant. Martinoviç, në gjendje të dehur kishte shkuar në shtëpi, kishte marrë armën dhe sipas Policisë, kishte ardhur sërish në restorant dhe kishte filluar të qëllonte.

Prokurorja kujdestare në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, Andrijana Nastiq, njoftoi se vrasjet janë kryer në gjashtë lokacione. Siç shpjegoi prokurorja, në lokacionin e pare në restorant janë vrarë katër persona dhe po aq në lokacionin e dytë. Në lokacionin e tretë janë vrarë dy fëmijë, ndërkaq në të katërtin dhe të pestin janë varë nga një person. Në të gjashtin, është vetëvrarë autori.

“Në çdo lokacion është kryer hetim dhe janë marrë provat që do të merren parasysh. Autori i vrasjeve është vetëvrarë dhe ky është lokacioni i gjashtë ku janë kryer hetimet. Po vijojnë veprimet e Prokurorisë dhe policisë që do të zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo ngjarje”, deklaroi Andrijana Nastiq, prokurore.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq nëpërmjet rrjetit social X, thа se është i tronditur nga ngjarja, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. Kryeministri Milojko Spajiç shkoi në spitalin ku po trajtohen të plagosurit dhe njoftoi për shpalljen e tri ditë zie.

Ndërkohë, nga gjithandej dërgohen mesazhe solidariteti nga politikanë e krerë shtetërorë.

Në Cetinjë, në vitin 2022 ka ndodhur gjithashtu një vrasje masive, nga një sulmues i armatosur që vrau dhjetë persona duke përfshirë dy fëmijë. Ekzekutori, u vra nga një kalimtar i armatosur. /Alsat.mk