Autostrada Trebishtit-Strugë-Qafë Thanë do kalojë në një trase të re shkaku i UNESCO 

Lajme Ohër

Mickoski: Pres që para fillimit të sezonit turistik të përfundojë segmenti nga Vrbjani deri në Ohër
02.01.25 11:01

“Pres që viti 2025 të jetë më i suksesshëm se 2024, edhe pse vitin 2024 e mbyllim me rezultate më të mira se ato të pritura në aspektin ekonomik. Presim një rritje të BPV-së për tremujorin e katërt, duke arritur një rritje vjetore prej 2.7% ose edhe 3%, ndërsa investimet e huaja priten të tejkalojnë 1 miliardë euro. Në aspektin e infrastrukturës, pres që të përfundojnë të gjitha këto projekte që po punohen intensivisht në gjashtë muajt e fundit,” tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai theksoi se të shtunën do të hapet për përdorim rruga ekspres Stracin (Çatal) – Kriva Pallankë, ndërsa në gjysmën e dytë të janarit edhe segmenti i rrugës ekspres Gradsko-Farish, si dhe pjesa e parë e hekurudhës drejt Bullgarisë, Kumanovë-Belljakovcë.

“Pres që para fillimit të sezonit turistik në Ohër të përfundojë dhe të hapet segmenti nga Vrbjani deri në Ohër në autostradën Kërçovë-Ohër, përveç pjesës pranë fshatit Botun, ku po punohet për heqjen e rrëshqitjeve të dheut. Deri në fund të vitit 2026, pres që të përfundojë e gjithë autostrada midis Kërçovës dhe Ohrit,” tha ai.

Mickoski shtoi se po punohet me ritëm të shpejtë edhe në autostradat e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d.

“Po punohet në rrugën Gostivar-Bukojçan, dhe pres përfundimin e tenderit që do të lidhë Bukojçanin me autostradën Kërçovë-Ohër. Gjithashtu, po punohet me shpejtësi në rrugën Prilep-Manastir, dhe pres që të fillojë ndërtimi i segmentit Tetovë-Gostivar dhe Trebenishtë – Qafë Thanë në një trase të re, pasi trasa ekzistuese kalon në një zonë të mbrojtur nga UNESCO,” tha Mickoski.

Ai theksoi se gjatë vitit 2025 pritet që me ritme të intensifikuara të vazhdohet puna në projektet e nisura, disa prej të cilave do të përfundojnë, dhe më pas do të fillojë realizimi i projekteve të reja.