Vërejtjet e Qeverisë ndaj tregtarëve për rritje të pakontrolluara të çmimeve të disa produkteve ushqimore duket se kanë dhënë rezultat

Vërejtjet e Qeverisë ndaj tregtarëve për rritje të pakontrolluara të çmimeve të disa produkteve ushqimore duket se kanë dhënë rezultat. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha se në raftet e marketeve të caktuara tashmë po vërehen ulje ndërkohë që shporta e Vitit të Ri pasurohet edhe me 50 produkte shtesë.

“Sipas informacioneve nga Inspektorati Shtetëror i Tregut çmimet e disa prej produkteve ushqimore bazë që u rritën më parë janë ulur edhe atë në disa markete deri në 20-25 %.Një pjesë e marketeve tashmë kanë publikuar fletushkat e reja me çmimet e ulura për produktet si: vezë, vaj për gatim, disa produkte të përpunuara mishi, mish I freskët, qumësht, gjalp, fasule dhe produkte të tjera shtesë. Në të njëjtën kohë vetëm për një ditë janë shtuar mbi 50 produkte të reja në shportën e vitit të ri duke arritur një numër prej rreth 1.180 artikujsh.”, deklaroi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Durmishi kujtoi tregtarët se tashmë ka një vendim të gatshëm për ngrirjen e çmimeve nëse rikthehen manipulimet. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti se Qeveria nuk do të lejojë rritje drastike të çmimeve të produkteve ushqimore gjatë festave dhe jo vetëm.

“Kemi sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, do të ndërmerren masa. Masa e fundit që Qeveria e ka në dispozicion është të sjell sërish kufizim ose limitim të çmimit mirëpo në këtë moment po e shohim se pjesa më e madhe tregtarëve po i respektojnë vërejtjet dhe lutjet”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Qytetarët në vazhdimësi nxorën në pah manipulimet në raftet e dyqaneve, duke u ankuar për rritje të përditshme të çmimeve. Por edhe përkundër kësaj Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore një ditë më parë tha se nuk ka shkelje dhe manipulime nga tregtarët dhe prodhuesit. /Alsat.mk