Turneun e struganëve në Amerikë e fiton FC Katërkolla

Festë dhe garë, FC Katërkolla kampion i edicionit të 15-të në turneun futbollistik “Vllaznimi”

Salla sportive ‘TurfCity’ në Wayn ishte vend takim i qindra shqiptarëve të cilët tashmë për të 15-in vit me radhë u tubuan për turneun futbollistik më madhështor të shqiptarëve në diasporë, “Vllaznimi” që organizohet në kujdesin e QKSHA-Struga në New Jersey.

Ky vit ishte i veçantë për shkak se ishte jubilar. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësinë e organizimit e kishin marrë themeluesit dhe ideatorët e parë të këtij aktiviteti sportiv po të njejtët e para 15 viteve.
20 skuadra cilësore dhe 200 futbollistë morën pjesë në garën për vendin e parë, të dytë dhe titullin e lojtarit më të mirë të turneut.

Prezenca masive e shikusve, sportdashës, familjarë, vajza e djem dëshmuan edhe njëherë se ky turne tashmë është një institucion që i shërben bashkimit, argëtimit dhe festës së shqiptarëve të motivuar nga sporti dhe nga festat e fundvitit.

Gjithçka filloi me intonimin tradicional të himneve shqiptar dhe amerikan. Më pas turneun e shpalli të hapur kryetari i aktiviteteve në QKSHA-Struga, z.Nafi Sllatina i cili njëkohësisht edhe uroi të gjithë të pranishmit për festat.

Ndeshjet filluan me një ritëm të lartë, konkurenca ishte dukshëm e madhe. Ekipet favorite ishin të shumta por spikatën me lojën e tyre sidomos ekipi i KF Dollogozhda, Fc Albanians, FC Katërkolla, Hoti, Ulqini, N.Jersey, Brothers Pizza, Cemi, Kraja, Muriqi … por edhe gjitha skuadrat tjera pjesmarrëse që u paraqitën me dinjitet në këtë turne.

Nuk munguan as ekipet si Drenica, nikoqirët e Vllaznimit, Rumia, Kismet, Ana e Malit, Rinia, Long Island, LTG FC, Fc Future e Ulqini 2.
Në ndeshjet çerekfinale u zhvilluan beteja sportive shumë atraktive dhe konkuruese prandaj shumë ndeshje u vendosën përmes penaltive, ndërsa në gjysmëfinale u ballafaquan ekipet Katërkolla – Kraja si dhe Dollogozhda-Hoti.

Skuadra e Hotit mposhti një ndër ekipet më favorite, atë të FC Dollogozhda duke siguruar një finale me ekipin e FC Katërkolla të cilët mposhtën në gjysmëfinale FC Krajën.

Ndeshja finale solli shumë gola, gjithësej pesë, por për fat të keq të Hotianëve të gjitha ishin shënuar nga futbollistët e Katërkolla.
Ky ishte edhe rrezultati i finales.
Katërkolla 5 : 0 Kraja!
Ceremonia pas finales ishte shumë vëllazërore dhe thuajse e përbashkët mes ekipeve finaliste përfshirë këtu edhe organizatorët e turneut, duke dhënë kështu mesazhin thelbësor të këtij aktiviteti ku përveç garës rëndësi më të madhe ka bashkimi, uniteti i shqiptarëve në Amerikë përmes aktiviteteve sportive.
Kapiteni i FC Hotit mori trofeun e vendit të dytë që ju nda nga z.Nafi Sllatina, ndërsa futbollist më i mirë i turneut u zgjodh lojtari i FC Katërkolla, Admir Nezaj i cili në gjitha ndeshjet bëri një diferencë të theksuar duke ndikuar direkt me golat dhe performancën në fitoret e ekipit të tij. Titullin ja ndau z.Arif Sela nga stafi organizativ, duke i uruar suksese në vazhdim.
Momenti kulminant dhe trofeu i kampionit ju dorëzua kapitenit të FC Katërkolla nga kryetari i turneut z.Atmi Shazimani.

Të dyja skuadrat finaliste u shpërblyen edhe me nga një çek që u nda nga z.Fatmir Mimini si administrator dhe pjesë e stafiti organizativ, Vendi i dytë mori $750, ndërsa vendi i parë $1500.

Atmosfera ishte tepër festive duke pasur parasysh edhe programin artistik i cili u zhvillua veçanërisht pas përfundimit të fazës së parë të ndeshjeve ku performuan me veshje dhe program kombëtar vajzat e grupit të valleve të QKSHA-Struga.

Kryetari i QKSHA-Struga, z.Sinan Alimi në fjalën e tij, shprehu krenarinë e tij që ky aktivitet masiv sportiv që zhvillohet nën ombrellën e Organizatës shënon 15 vjetorin e suksesshëm duke vlerësuar kështu gjithë ata që kontribuan në këtë projekt.

“Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë turne futbolli këtë vit, i cili është 15-vjetori ynë. Mbështetja juaj gjatë këtyre 15 viteve e ka bërë këtë turne futbolli një sukses që është bërë traditë për Organizatën tonë. Shpresoj që kjo traditë të vazhdojë për shumë vite të tjera me mbështetjen tuaj!

Ky turne ishte ëndrra e një personi 15 vite më parë, të cilën ai arriti ta realizojë me sukses! Ky person është themeluesi i këtij turneu dhe dëshirojmë ta nderojmë sot me një çmim, z. Atmi Shazimani” tha Sinan Alimi i cili më pas i ndau një Mirënjohje për merita të veçanta z.Atmi Shazimani.

z.Shazimani në fjalën e tij me modesti theksoi se ky organizim sportiv do të ishte i pa realizueshëm nëse nuk do kishte pasur mbështetjen e bashkpuntorëve të tij më të afërt, Organizatës dhe antarëve të saj. Ai tha se punët e mëdha bëhen bashkë dhe prandaj tha ai, dua që sot para jush të ndaj mirënjohje edhe për disa persona të tjerë që kanë pasur ndikim që ky turne të marrë hov në vitet e para të tij.
“Ishte një iniciativë sportdashësish, ideja ime gjeti mbështetje nga Xhevat Borova, Kalosh Sela, Arif Sela, Ajri Hoxha, Isni Sela, Nafis Vlashi dhe Edip Ramadani që poashtu dua t’ju ndaj mirënjohje për kontributin e tyre. Është për tu theksuar edhe mbështetja dhe aprovimi i drejtuesve të Organizatës sonë atëkohë në krye me z.Amza Alimi duke na dhënë shtysë që ideja jonë të realizohet. Ky turne i kaloi përmasat lokale sepse siç e shihni kemi pjesmarrje gjithëkombëtare, për këtë segment dha kontributin e tij z.Fatos Selimi dhe Besnik Ziba të cilët ndikuan në afrimin e disa skuadrave kryesisht nga Kosova prandaj një mirënjohje shkon edhe për ta” tha mes tjerash Atmi Shazimani, kryetar i edicionit të 15 të turneut.
Shumë pjesmarrës e vlerësuan këtë ditë si tepër argëtuese dhe të dobishme. Përveç garës sportive, pjesës artistike ata patën mundësi të takojnë shumë miq madje edhe të shijojnë ushqime tradicionale që shërbehen nga bizneset e autorizuar në sallë.

Ky organizim u realizua falë kontributit të jashtzakonshëm të aktivistëve të QKSHA-Struga, antarëve të saj si dhe sponsorëve dhe bizneseve shqiptare të cilët gjithmonë i janë gjendur pranë turneut, prandaj një falemenderim dhe respekt i veçantë shkon për gjithë ata.

Komente nga pjesmarrës, organizatorët dhe më shumë mbi atmosferën e këtij turneu do të mund të ndiqni në një video reportazhë që do të publikohet së shpejti në faqen e QKSHA-Struga (albanianamericanculturalcenter).