Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria nuk bëjnë të ditur se ku ndodhet Grubi

Policia ende nuk ka detaje se ku ndodhet ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Hesht edhe prokurori i shtetit Lupço Kocevski, i cili sot nuk dha përgjigje për këtë pyetje. Kocevski konfirmoi se është lëshuar fletarrest, por nuk u përgjigj nëse Grubi ndodhet në Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër.

“Prokuroria publike gjithmonë mbledh prova nga MPB-ja, që do të thotë se Prokuroria publike ka kryer hetim, që do të thotë se ne tani presim që të kryhet. Sa i përket vendit ku ndodhet Artan Grubi, për momentin, nuk mund të them, e as Prokuroria Publike, duke qenë se është kompetencë e autoriteteve të të tjera”, tha Lupço Kocevski, prokuror publik i shtetit.

Ndonëse Grubi tash e disa ditë është në arrati, familja e tij ka angazhuar avokatin Vlladimir Donevski si përfaqësues ligjor zyrtar. Donevski me ditë të tëra i ka injoruar thirrjet e mediave, ndërsa sot doli me deklaratë publike, në të cilën kërkon paanshmëri dhe mospolitizimin e procedurës ndaj Grubit, me pretendimin se nuk sheh elemente të veprës penale.

“Pas vërtetimit të asaj që gjykata ka deri më tani dhe analizimit të argumenteve të Prokurorisë publike, për mendimin tonë nuk ka bazë për të dyshuar se është kryer vepër penale siç parashihet me ligj. Mbrojtja dhe të gjitha argumentet do të ekspozohen në suazat e procedurës së paraparë me ligj, që të bindet edhe gjykata edhe prokurori publik se nuk ka vepër penale në veprimet për të cilat akuzohet Artan Grubi”, deklaroi Vlladimir Donevski, avokat i Artan Grubit.

Përndryshe, Grubi është i dyshuari i dytë në rastin e abuzimeve në “Lotarinë Shtetërore”, ku është bërë dëm mbi 8 milionë euro. Policia ka bastisur shtëpinë e tij, por as ai dhe as i dyshuari i parë, Përparim Bajrami, ish-drejtor i “Lotarisë Shtetërore” nuk ndodhen në vend. Për Bajramin, avokati i tij tha se ai ka disa muaj që është shpërngulur jashtë shtetit, ndërsa për Grubin, MPB ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një polici për shkak të një lëshimi të bërë në momentin kur Grubi është larguar nga vendi përmes pikës kufitare Bllacë. Në këtë rast, përveç Bajramit dhe Grubit, të dyshuar janë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Metodija Dimovski.