Himni”, tërhiqet ligji i arsimit të mesëm / “Luftë” për meritat e tërheqjes

Ministria e Arsimit ka tërhequr propozim ligjin për arsim të mesëm, neni 54 i të cilit parashikonte intonimin e himnit të shtetit në çdo fillim dhe mbarim të vitit shkollor, si dhe gjatë festimit të patronatit të shkollave. Tërheqja e këtij propozim/ligji, u përshëndet nga deputetët e Frontit Evropian, edhe pse ata kishin përgatitur amendamente për këtë.

“Gjërat duhet ndërtuar nga baza e jo nga kulmi. Dhe unë besoj që edhe ju e keni kuptuar, jeni kthjelluar si ministri dhe si qeveri dhe e keni tërhequr nga rendi i ditës këtu edhe pse ne ishim të përgatitur me amendamente për të ndërhyrë. Megjithatë kështu është edhe më mirë që herëve të tjera të mundemi të gjithë bashkë të diskutojmë për gjëra të cilat janë të rëndësisë kaq të madhe siç është propozim ligji që është tërhequr nga rendi i ditës”, deklaroi Ilire Dauti – Deputete e Frontit Evropian.

Për tërheqjen e propozim/ligjit, deputeti Halil Snopçe thotë se meritat i kanë deputetët e koalicionit VLEN, pasi dorëzuan amendamente.

“Pra kjo është një porosi e qartë e deputetëve të VLEN dhe kur parashtruam amendamentet, Ministria e Arsimit faktikisht e mori porosinë dhe e tërhoqi këtë ligj. Deputetët e VLEN dëshmuan se janë garantuesit e vetëm të interesave të shqiptarëve dhe ne i mbrojmë në mënyrë institucionale”, tha Halil Snopçe – Deputet i VLEN.

Më e pakënaqur në këtë rast ishte ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. Ndonëse ajo vet e tërhoqi ligjin, thotë se nuk do të lejojë që kjo të keqpërdoret nga BDI-ja e cila sipas ministres, tenton të përfitojë pikë politike. Përsëriti se simbolet e shtetit duhet të respektohen nga të gjithë.

“Nga këtu, në një farë mënyre madje jam edhe falënderuese, do të punojmë në përmirësimin e të gjithë tekstit dhe besoj se sado herë që ta lexoni një tekst, gjithmonë mund të gjeni përmirësime. Kemi pikëpamje shtesë, kur të vijë në rend dite do ti mësojmë të gjitha ndryshimet.
Do ta ndryshoni nenin 54?
Do ta mendoj…!”, deklaroi Vesna Janevska – Ministre e Arsimit.

Debati vazhdoi për propozim ligjet për arsimin e të rriturve, për arsim profesional dhe trajnim, si dhe ligjin për arsim fillor. Për të tre ligjet janë dorëzuar amendamente ndërsa siç kanë njoftuar deputetët e partive shqiptare, më kontestuese është neni ku parashikohet që drejtorët e shkollave të kenë dhënë medoemos provimin e gjuhës maqedonase. Propozim/ligjet kur të vijnë në seancë plenare, votohen me votim të dyfishtë.