NJË FYTYRË QË SHKËLQEN
Gjatë rrugëtimit tim professional kam mësuar se një fytyrë që shkëlqen e ka nënën qindpërqind në zemër. Dashuria për nënën është si një rreze dielli që i shndrit fytyrat tona. Këtë e kam menduar shpesh në punën time psikoterapeutike, dhe këto ditë kur po merremi me jetën dhe fatin e këngëtares sonë të shquar, kam menduar edhe më shumë. Parimi nr 1: një vajzë që e ka të ëmën në zemër i ka të hapura dyert e jetës, ka shëndet të mirë, sukses në dashuri dhe në punë.
-Si është e mundur që një vajzë me një shkëlqim hyjnor në fytyrën e saj, të marrë vendime aq të dëmshme për vete? Dhe, atypëraty m´u kujtua Fati, forca madhështore e Shpirtit të madh. Kjo më bëri të hesht, me respekt të thellë për këngëtaren dhe për familjen e saj.
Historia familjare përmban fate të rënda që rrokullisen me rrëmbim në lëndinën e ditëve tona, si ato trupat e lisave, hedhur në rrjedhën e furishme të një lumi malor. Në mungesë të fakteve të tjera, mua më mjafton një përfytyrim i tillë si shpjegim për jetën e saj të ndarë më dysh; gjysma për vete dhe gjysma për ndonjë grua e cila mund ta ketë pësuar keq dikur.
Si të shpjegohet ndryshe gjendja e saj, marrja e jetës nëpër këmbë. Ndarja është pjesë e fatit. Ndarja nuk ka fajtor, se shkaku i ndarjes është ndikimi i Shpirtin të madh, që si një frymë hyjnore i ledhaton edhe lulet edhe gjembat njësoj. Nuk ka të mirë dhe të këqinj në kodin e Shpirtit të madh. Nuk ka drejtësi. Gjithçka është ashtu si është, ndonëse ne nuk pajtohemi me këtë, dhe vuajmë. Ngjarja më interesante është lindja e një fëmije. Fati nuk ka empati tjetër përveç se ndaj fëmijës. Të rriturit duhet ta kuptojnë këtë, t´i pranojnë faktet e jetës, mos moralizojnë e mos i shpallin luftë ligjësive sociale.
Përse të grinden prindët për fëmijën? Pranoni ndarjen dhe faktin se si prindë jeni të lidhur përjetë. Fëmija nuk u takon juve, fëmija i takon jetës dhe ka një fat të caktuar të cilin duhet ta respektojmë pa kusht. Dhe, duhet pranuar e vërteta se djali, sa të rritet pak duhet të ecë gjurmëve të të atit, kurse vajza e mban të atin në zemër dhe kthehet te e ëma për t´u bërë si ajo. I ati duhet ta pranojë këtë shpirtërisht, ashtu si dhe nëna: ta nderojë atësinë me përulësi që t´i vejë puna mirë djalit, pa marrë parasysh nëse babai i fëmijës është treguar “i mire” apo “i keq”. Natyrisht, çdo nënë nuk e ka të lehtë ta bëjë këtë, dhe i duhet pak ndihmë në këtë drejtim. Ndihmë e nevojshme, pa paragjykim, pa predikim dhe pa moralizim.
Gbg 21 dhjetor 2024.
IImri Demisai
Foto: web.
Parashqevi Simaku🎶❤️🌠