Në spitalin e dializës në Strugë mungojnë të paktën 25 mjekë, infermierë dhe punonjës spitalorë transmeton Strugalajm.
Rreth 25 mjekë, infermierë, punonjës spitalorë dhe pastrues mungojnë në Institucionin Publik Shëndetësor – Nefrologjia Strugë, deklaroi drejtori i spitalit, Jetmir Ziba.
Pavarësisht mungesës së personelit mjekësor, ai thekson se po përballen me sukses me sfidat e përditshme. Ai pret që me shpalljen e Ministrisë së Shëndetësisë për punësime të reja në fillim të vitit të ardhshëm të rritet numri i personelit mjekësor, duke përmirësuar kështu edhe cilësinë e shërbimeve.
“Ne kemi mungesë të mjekëve, infermierëve, punonjësve spitalorë dhe pastruesve. Aktualisht, numri i të punësuarve është 226, por kemi premtime se shumë shpejt, me realizimin e projektit për punësime në të gjitha institucionet mjekësore, do ta plotësojmë këtë mungesë,” deklaroi Ziba.
Sipas tij, Nefrologjia e Strugës ka nevojë për 7-8 mjekë, 15 infermierë, si dhe pastrues dhe punonjës spitalorë. Megjithatë, numri i të punësuarve pritet të rritet për shkak të shtimit të pacientëve që kanë nevojë për hemodializë.
“Numri i pacientëve që kanë nevojë për hemodializë është në rritje, dhe shkaqet kryesore janë diabeti dhe hipertensioni,” theksoi Ziba.
Ai shtoi se po punohet vazhdimisht për përmirësimin e kushteve në spital, si dhe për promovimin e projektit për “dializë për pushime”.
Në Nefrologjinë e Strugës, vitin e kaluar u realizuan 16,000 seanca hemodialize, ndërsa që nga themelimi i spitalit, janë kryer mbi një milion.