Rinovohet Nefrologjia në Strugë: Investim prej mbi 26 milionë denarësh për kushte moderne dhe trajtim cilësor

Rinovohet Nefrologjia në Strugë: Investim prej mbi 26 milionë denarësh për kushte moderne dhe trajtim cilësor

Pas një ekzistence prej gati 40 vitesh, Nefrologjia e Strugës ka përjetuar një transformim të rëndësishëm me investime të mëdha në infrastrukturë dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore. Projekti, me vlerë prej 26 milionë denarësh, u realizua në kuadër të programit për zhvillim rajonal me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.

Ndërhyrjet përfshijnë instalimin e paneleve diellore, sisteme moderne të ngrohjes dhe ftohjes, një sistem qendror për furnizim me oksigjen dhe përmirësime të mëdha në hapësirat për pacientë dhe stafin mjekësor. Për herë të parë, pacientët mund të bëjnë rezervime përmes një platforme dixhitale.

Drejtori i Nefrologjisë, Jetmir Ziba, tha se kapaciteti i trajtimit ditor është rritur në 60 pacientë, ndërsa shpenzimet e energjisë elektrike janë reduktuar ndjeshëm. Projekti gjithashtu përfshin rinovimin e plotë të repartit për “dializën e pushimeve”, duke e bërë funksional gjatë gjithë vitit.

Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Erxhan Selimi, vlerësoi investimin si një hap të madh për përmirësimin e kujdesit mjekësor dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor në rajon, duke theksuar rëndësinë e kësaj qendre për mbi 14,000 pacientë brenda dhe jashtë vendit.

Investimi është bashkëfinancuar nga Qeveria e Zvicrës, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Spitali i Nefrologjisë dhe Qendra Planore e Rajonit Jug-Perëndim.