Bizneset anëtare të OEMVP-së, me çmime suksesi edhe në Shqipëri
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Mendi Qyra, së bashku me Drejtorin ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 128-vjetorit të themelimit të Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Ky event u fokusua në vlerësimin dhe nderimin e kompanive që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në këtë manifestim, kompania Ing Luli, një nga anëtarët më të hershëm të OEMVP-së, u nderua me çmimin “Histori Suksesi”, duke përfaqësuar një shembull të shkëlqyer të përkushtimit dhe profesionalizmit. Ndërkohë, kompania Dauti – Komerc u shpërblye me titullin “Distributori i Vitit”, duke vlerësuar performancën dhe ndikimin e saj të fuqishëm në tregun vendor, rajonal por edhe më gjerë.
Në këtë ceremoni gala, Kryetari z. Qyra pati nderin të dorëzojë çmimin për “Inovacionin më të mirë në shërbimet ndaj klientit” kompanisë Concentrix Albania, duke vlerësuar përpjekjet e saj për të ngritur standardet e shërbimeve dhe për të promovuar inovacionin.
Kryetarit Mendi Qyra iu dha edhe nderi i një fjalimi përshëndetës, ku ai potencoi se bizneset shqiptare të Maqedonisë së Veriut janë prezent në këtë ngjarje të organizuar në Shqipëri nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, duke dëshmuar për suksesin e tyre edhe jashtë kufijve të RMV-së. Ai shprehi gatishmëri për të ndihmuar bashkëpunimin e ndërsjellë edhe në vitet që vijojnë.