Prindërit e nxënësve në Podgorcë të Strugës shprehin shqetësimin e tyre se tash e dy muaj, prej kur MASH ia mori kompetencat kreut të Strugës, kjo shkollë ka mbetur pa drejtues. Prindërit thonë se MASH duhet të ndalojë me lojërat politike
“I kërkojmë Ministrisë së Arsimit që t’i ndalojë menjëherë ndërhyrjet politike në shkollën tonë, ta respektojë sovranitetin e këshillit të shkollës dhe ta konfirmojë emërimin e drejtorit në përputhje me procedurat ligjore, të përcaktuara qartë nga institucionet arsimore. T’i shmangë vonesat dhe bllokimet e qëllimshme, të cilat janë rezultat i lojërave politike nga subjekte si VMRO-ja dhe të tjerët, që duan ta manipulojnë këtë proces për interesat e tyre”, tha Amir Murtezoski – banor i Podgorcës.
Ndryshe, shpallja për përzgjedhjen e drejtorit të ri, të cilën e kishte bërë të ditur Ministria e Arsimit, ende është duke vazhduar. Prindërit thonë se zhvillimet e fundit ndikojnë në procesin mësimor në shkollë dhe kërcënojnë me bllokada. Ata kërkojnë që të zgjidhet kandidat për të cilin këshilli i shkollës ka dhënë pëlqim.
“Nëse kërkesat tona nuk dëgjohen, do të detyrohemi të marrim masa më të rrepta. Në shenjë proteste, nuk do t’i dërgojmë fëmijët në shkollë, derisa të sigurohemi që arsimi të mbetet jashtë ndikimeve politike. I bëjmë thirrje ministrisë që ta zgjidhë menjëherë këtë problem, të cilin vetë e krijoi”, u shpreh Amir Murtezoski – prind.
U.D drejtori i shkollës në Podgorcë, Jovçe Kërstanoski, nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e tilla. Nga MASH thonë se për rezultatin do t’i informojnë prindërit.
“Për shkak të parashtresës së pranuar për parregullsi të mundshme gjatë zbatimit të procedurës për përzgjedhjen e drejtorit në shkollën në Podgorcë të Strugës nga ana e komisionit të shkollës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka përzgjedhur kandidatin e propozuar për drejtor për të cilin, madje, është paraqitur edhe ankesë për verifikimin e besueshmërisë së dokumentacionit të bashkangjitur në konkurs. Pas përfundimit të mbikëqyrjes nga institucionet dhe organet kompetente për veprim sipas ankesave të pranuara, do t’ju informojmë për rezultatin dhe hapat e mëtejshëm”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Ndryshe, kundër Merkos tashmë ka disa procedura gjyqësore për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla fillore në fshatrat Veleshtë, Labunishtë, Podgorcë dhe Ladorishtë dhe Vëllezërit Miladinov në Strugë, ndërsa përveç Podgorcës, MASH-i ia ka marrë Merkos kompetencat edhe për shkollën në fshatin Dërsllajcë. Arsyeja për këtë, siç thanë nga ministria, është për shkak të detyrimeve të parealizuara që dalin nga ligji, përkatësisht publikimit të parakohshëm të shpalljeve për përzgjedhjen e drejtorëve dhe emërimit të drejtorëve që nuk i plotësojnë kushtet për kryerjen e detyrës.