Përpjekje për të manipuluar opinionin e quan ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski nismën e BDI-së për interpelancë ndaj tij dhe zëvendësit të tij. Interpelancat u njoftua një ditë më parë nga grupi parlamentar i Frontit Evropian.
“Tezat që u thanë në periudhën e kaluar nga ana e opozitës, veçanërisht nga ana e BDI-së, vërtetë kontradiktore. Qytetarët e dinë çfarë qëndron pas kësaj interpelance dhe pas kërkesës së tyre. Ju uroj fat. Kuvendi do të veprojë sipas procedurave kurse unë vlerësoj se është përpjekje e ulët për manipulimin e opinionit”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.
Fronti Europian dorëzoi interpelancë ndaj ministrit të brendshëm Toshkovski, zv.ministrit Astrit Iseni ndaj zv.kryeministrit të parë Izet Mexhiti dhe ndaj ministrit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, njëkohësisht zv.kryeministër, Ivan Stoillkoviq. Nisma erdhi pas incidenteve të 28 nëntorit dhe të djegieve të veturave në Kumanovë.
Zv.kryeministri Mexhiti për Alsat thotë se interpelancat janë përpjekje e BDI-së për të diktuar diskursin politik dhe se qëllimi i vetëm i tyre është pushteti.
“BDI po mundohet në të gjitha mënyrat të paraqitet si faktor relevant dhe të diktojë kursin politik në vend. Por, sa më shumë që mundohen ata, aq më e qartë është se qëllimi dhe interesi i tyre është vetëm pushteti dhe kolltukët qeveritar. Mirë është ta kuptojnë dhe të pajtohen më në fund me faktin se shqiptarët në Qeverinë e re i përfaqëson një koalicion i ri politik i pastër shqiptar, ndërsa BDI, pas 22 vitesh, është parti në opozitë. E di, nuk është kollaj të pranohet fakti se e kemi thyer mitin se BDI do të jetë përjetësisht në pushtet, por kjo është politika – kur mendon së ke fituar më së shumti, në fakt ke humbur më së shumti”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
Sipas Rregullores, Kuvendi duhet të vendosë në rend dite interpelancat në seancën e parë të radhës. Nga atje konfirmojnë se kryeparlamentari Gashi do të pranojë nismat gjatë ditës së sotme kurse në rend dite do të vendosen në përputhje me afatet, pore dhe duke pasur parasysh afatet për miratimin e buxhetit.
LSDM-ja nuk ka ndërtuar qëndrim rreth interpelancave të dorëzuara nga Fronti Evropian. Thonë se këtë do ta bëjnë gjatë mbledhjes së bordit ekzekutiv, sot.