Ndërtimi i autostradës Elbasan – Lekaj do të kushtojë 126 mln euro, pa TVSH. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të zbatojnë punimet në 6 lotet e këtij aksi, duke i hapur rrugë nënshkrimit të kontratave dhe nisjes së punimeve. Fituesit e 3 tenderëve u shpallën javën që kaloi, ndërsa këtë javë janë shpallur kompanitë fituese edhe për 3 lotet e tjerë.
Ky aks rrugor ka një gjatësi prej 40.7 km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Ai nis në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.
Elbasan – Lekaj është një segmentet e Korridorit 8, çka nënkupton se pas përfundimit të punimeve do të jetë autostradë, ndërsa referuar dokumenteve të tenderit shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 – 140 km/orë.
Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, ndërsa aktualisht është duke u punuar edhe në 8 lote të tjera, nga Elbasani në drejtim të Qafë Thanës. Kjo është vepra publike, që do të marrë dhe pjesën më të madhe të fondeve buxhetore rrugore për vitin 2025, me rreth 8.8 mld lekë të planifikuara.