Si çdo vit edhe kësaj radhe, bashkatdhetarët e Dollogozhdës, rrethina e Strugës, përveç që festuan ditën e flamurit dhe 112 vjetorin e shtetit shqiptarë, ata treguan se janë unikë dhe kur të ftohen që të jenë bashkë, ata nga katër anët e Zvicrës bashkohen. Jo më pak se mbi 300 dollogozhdarë ishin në Spreitenbach të Zvicrës, që të festojnë festën më të madhe kombëtare. Ishin fëmijët ata që gëzoheshin shumë, sepse organizatorët kishin menduar, që ti nderojnë më shumë të ardhmen e kombit, që po lindin e po rriten në vend të huaj, por të mos e harrojnë gjuhën e traditën tonë kombëtare.
Në të katër anët e sallës shihej flamuri ynë kombëtar kuq e zi. Kryetari i shoqatës z.Përparim Kica i shoqëruar me kryesinë dhe dollogozhdarët e tjerë, kishin organizuar një program shumë të pasur kulturo-artistik. Manifestimi filloi në ora 17.00 dhe zgjati deri në orën 22.00. Kishte këngë, valle dhe befasi të këndshme për fëmijët me dhurata dhe ushqime.
Kryetari i shoqatës, z.Kica i përshëndeti të pranishmit dhe i uroi që të gjithëve festën kombëtare, ditën e flamurit dhe 112 vjetorin e shtetit shqiptarë. Ndërsa, pas përshëndetjes dhe urimit për këtë festë, z.Përparim Sabriu, kryetar i LAPSH-it për Bülach, ndër të tjera tha;
Të nderuar bashkëvendas, ju drejtohem me sinqeritetin më të madh, kushdo prej jush që nuk i ka fëmijët në shkollën plotësuese shqipe ti dërgojnë. Sepse përmes shkollës, do ta ruajmë edhe gjuhën tonë kombëtare. Të jemi bashkë edhe në të ardhmen“.
Vallja, kënga e recitimet ishin me plot emocione dhe të gjithë në valle e festuan festën më të madhe kombëtare dhe duke u zotuar, që do të punojnë edhe në të ardhmen, që ta ruajmë të shenjtën tonë, gjuhën dhe traditat tona kombëtare. Dollogozhdarët falënderuan edhe popullin dhe shtetin zviceran. Dollogozhdarët kujtuan edhe dëshmorët nëpër periudha të ndryshme që kanë rënë për flamurin e gjuhën shqipe.